Tensione dhe përplasje te Kuvendi, efektivë e protestues të plagosur
PD bojkoton seancën
Situata jashtë Kuvendit të Shqipërisë vijon të jetë e tensionuar edhe në orët para nisjes së seancës plenare. Protesta e organizuar përpara godinës së Parlamentit është shoqëruar me incidente dhe përplasje mes qytetarëve dhe forcave të policisë.
Me mbërritjen e deputetëve, një grup protestuesish hodhën vezë në drejtim të tyre, duke përshkallëzuar menjëherë situatën. Në ndërhyrje për të neutralizuar incidentet, policia shoqëroi gjashtë protestues.
Gjatë përplasjeve mbetën të plagosur tre efektivë të Policisë së Shtetit. Pas këtij episodi, protestuesit u zhvendosën drejt zonës së pedonales, ku tentuan të çajnë kordonin e sigurisë të vendosur nga forcat e rendit.

Për të ndalur avancimin e turmës, policia përdori spraj lotsjellës. Përplasjet zgjatën për disa minuta, ndërsa efektivët arritën të ruajnë perimetrin e sigurisë përreth Kuvendit.
Në hyrje të Parlamentit janë vendosur në gatishmëri edhe dy automjete ujëhedhëse si masë parandaluese, megjithatë ato nuk janë përdorur gjatë fazës së parë të përplasjeve.
Pas raportimeve për plagosjen e efektivëve, ministri i Brendshëm, Besford Lamallari, doli nga ambientet e Kryesisë së Kuvendit për të ndjekur nga afër situatën dhe gjendjen e punonjësve të policisë.
Nga incidentet kanë mbetur të lënduar edhe tre protestues, të cilët janë transportuar me ambulancë për të marrë ndihmë mjekësore.

Ndërkohë, situata në zonën përreth Kuvendit mbetet nën monitorim të vazhdueshëm nga policia, ndërsa protesta po zhvillohet paralelisht me seancën plenare.
Partia Demokratike ka vendosur të bojkotojë seancën e sotme parlamentare. Në një deklaratë zyrtare, Grupi Parlamentar i kësaj force politike ka dënuar ashpër, sipas tyre, sjelljen e mazhorancës, duke e akuzuar atë për pengim të opozitës në ushtrimin e funksioneve kushtetuese dhe në përfaqësimin e interesit qytetar.
Sipas deklaratës, në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve, mazhoranca ka miratuar kalendarin e punimeve të Kuvendit deri në përfundim të sesionit parlamentar, pa përfshirë datën e shqyrtimit të katër projektligjeve të depozituara prej rreth një muaji nga opozita.
![]()
Protestuesit janë mbledhur që në orët e paradites së të enjtes përpara Parlamentit, duke shënjestruar disa deputetë me vezë. Mes tyre, deputeti i Partisë Socialiste, Ramion Kurti, është goditur me vezë pak para hyrjes në Kuvend.
Deri në këto momente, policia ka shoqëruar gjashtë protestues, mes të cilëve edhe aktivisti Gent Progni.
Më herët gjatë ditës, disa protestues kanë hyrë në një lokal ku ndodheshin deputetët dhe i kanë qëlluar ata me vezë dhe miell.
Në krahasim me protestën e një dite më parë, vihet re një prani e shtuar e forcave të policisë në të gjithë perimetrin përreth Parlamentit, si pjesë e masave të përforcuara të sigurisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



