Erion Veliaj lë qelinë e burgut
Kryebashkiaku i Tiranës dërgohet me ambulancë në spitalin Salus
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim, është transportuar mesditën e sotme me ambulancë drejt një spitali privat në kryeqytet.
Sipas burimeve mediatike, Veliaj ka lënë qelinë në IEVP Durrës dhe është dërguar në spitalin “Salus”.
Ende nuk janë bërë të ditura arsyet e shtrimit të tij në spital dhe nuk ka informacion të konfirmuar nëse bëhet fjalë për një problem shëndetësor, një vizitë apo ekzaminim rutinë.
Veliaj ndodhet në paraburgim prej muajsh, ndërsa më 15 shtator Gjykata e Lartë la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”, duke rrëzuar kërkesën e tij për ndryshimin e vendimeve të mëparshme gjyqësore.
Ndërkohë, mbetet për t’u sqaruar nëse shtrimi i sotëm lidhet vetëm me nevoja mjekësore apo nëse do të ketë ndonjë ndikim në vijimin e masës së sigurisë.
Kjo nuk është hera e parë që Veliaj dërgohet në një spital privat gjatë periudhës së paraburgimit. Sipas raportimeve të mëparshme të medias, disa muaj më parë ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje për heqjen e lythave dhe më pas u rikthye në qeli, i shoqëruar nga forca të shumta policie.
Pritet që në vijim të bëhen të ditura më shumë detaje lidhur me gjendjen e tij dhe arsyen e transportimit në spital.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



