Si e ndërtoi perandorinë e pronave me dokumenta false Artur Shehu?
The Daily Beast jehonë skandalit mbi projektin e Kushner në Shqipëri
Zhvillimet më të fundit rreth projektit luksoz turistik të Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Shqipëri kanë marrë një kthesë të re, pasi hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) kanë hedhur hije dyshimi mbi origjinën e pronave ku parashikohet ndërtimi i resortit miliarda dollarësh.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, në qendër të hetimit ndodhet biznesmeni Artur Shehu, i cili më herët gjatë këtij viti ka shitur një pjesë të vijës bregdetare ku pritet të zhvillohet projekti. Autoritetet shqiptare dyshojnë se një pjesë e këtyre pronave mund të jenë përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara të pronësisë.
Në dokumente zyrtare të shqyrtuara nga media ndërkombëtare, prokurorët flasin për “dyshime të arsyeshme” se asetet e përfshira në këtë transaksion nuk kanë një origjinë të ligjshme. Hetimi shtrihet edhe më tej, duke përfshirë dyshime për pastrim parash dhe lidhje të mundshme me trafik ndërkombëtar të drogës, ku të ardhurat nga kokaina dyshohet se janë investuar në pasuri të paluajtshme.
Megjithatë, Artur Shehu i ka hedhur poshtë kategorikisht të gjitha akuzat. Përfaqësuesit ligjorë të tij insistojnë se ai nuk ka asnjë lidhje me aktivitete kriminale dhe se pretendimet janë të pabazuara.
Nga ana tjetër, Jared Kushner, Ivanka Trump dhe investitorët e përfshirë në projekt nuk rezultojnë të jenë subjekt i ndonjë akuze. Sipas raportimeve, nuk ka prova që ata të kenë qenë në dijeni të problematikave të mundshme që lidhen me pronësinë e tokës në momentin e blerjes.
Kompania që qëndron pas zhvillimit të projektit ka deklaruar se transaksionet janë kryer në përputhje me ligjin dhe procedurat përkatëse, duke shprehur besimin se gjithçka është realizuar në mënyrë të rregullt.
Ndërkohë, projekti ka hasur kundërshtime të forta edhe në terren. Aktivistët e mjedisit dhe banorët lokalë paralajmërojnë për pasoja të rënda në ekosistemin e zonës, duke theksuar rrezikun ndaj habitateve natyrore dhe specieve të mbrojtura, si flamingot dhe breshkat e detit.
E gjithë kjo situatë e re pritet të komplikojë më tej ecurinë e një prej projekteve më të diskutuara në Shqipëri, i cili që prej prezantimit të tij është shoqëruar me polemika të forta politike, ligjore dhe mjedisore. Ndërkohë, hetimet e SPAK vijojnë dhe mbetet për t’u parë nëse do të ketë zhvillime të reja konkrete në këtë çështje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



