E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga Sazani te kokaina, mediat botërore vënë në shënjestër SPAK
Lajme

Nga Sazani te kokaina, mediat botërore vënë në shënjestër SPAK

Pyetjet për Artur Shehun dhe presionet politike

Projektet e mëdha turistike në bregdetin shqiptar, hetimet për pastrimin e parave të dyshuara se burojnë nga trafiku ndërkombëtar i kokainës dhe çështja e pavarësisë së drejtësisë kanë tërhequr vëmendjen e disa prej mediave më të njohura ndërkombëtare. Gjatë muajit korrik, një sërë institucionesh mediatike nga SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Zvicra, Holanda dhe Belgjika i kanë drejtuar SPAK-ut kërkesa zyrtare për informacion.

Të dhënat e regjistrit zyrtar të kërkesave për informacion të SPAK-ut tregojnë një interes të konsiderueshëm ndërkombëtar për disa prej dosjeve më sensitive që janë aktualisht në vëmendjen e autoriteteve shqiptare.

Në qendër të kërkesave të disa mediave amerikane dhe britanike është vendosur biznesmeni me bazë në Miami, Artur Shehu, i identifikuar në dokumentet zyrtare me inicialet A.Sh.

SPAK e ka akuzuar Shehun në kuadër të një hetimi që lidhet me krijimin e pasurive të paluajtshme përmes dokumenteve të falsifikuara mbi pronësinë e tokave në bregdet, ndërsa autoritetet dyshojnë se pasuritë janë të lidhura me pastrimin e parave që burojnë nga trafikimi ndërkombëtar i kokainës.

Çfarë kërkuan mediat amerikane dhe britanike?

Një nga kërkesat më konkrete ka ardhur nga Wall Street Journal. Media amerikane i është drejtuar SPAK-ut për të mësuar nëse autoritetet shqiptare kanë kërkuar ndërhyrjen e Interpol-it për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të Artur Shehut përmes një “Red Notice”. Gazetarët kanë kërkuar gjithashtu akses në dokumente gjyqësore që lidhen me hetimet e fundit.

Interes të veçantë ka shfaqur edhe Daily Mail. Gazeta britanike ka kërkuar qëndrimin e SPAK-ut lidhur me raportimet se pasuritë e sekuestruara dhe çështjet e pronësisë të lidhura me Shehun prekin territore ku janë parashikuar projekte të mëdha turistike në bregdetin shqiptar.

Ndërkohë, Newsweek është fokusuar te statusi aktual i hetimit. Media amerikane ka kërkuar të dijë nëse procedimi ndaj Artur Shehut vijon të jetë aktiv, nëse masa e sekuestros mbi pasuritë me vlerë rreth 110 milionë euro vazhdon të jetë në fuqi dhe nëse hetimi mund të ketë ndikim mbi transaksionet e pronave në zonat e Sazanit dhe Zvërnecit.

Kërkesat e mediave ndërkombëtare tregojnë se dosja nuk shihet vetëm në këndvështrimin e hetimit penal, por edhe në raport me projektet e mëdha të zhvillimit turistik që janë diskutuar për këto territore.

Sazani, Zvërneci dhe pavarësia e SPAK-ut

Interesi i shtypit të huaj nuk është kufizuar vetëm te pasuritë dhe hetimi ndaj Artur Shehut.

Gazeta gjermane Tagesspiegel, duke iu referuar interesit ndërkombëtar për projektet në Sazan dhe Zvërnec, ka kërkuar një intervistë me prokurorin që po merret me çështjen.

Në një tjetër kërkesë, media zvicerane L’Impertinent është interesuar për ecurinë procedurale të disa prej dosjeve më të ndjeshme të SPAK-ut. Një pjesë e pyetjeve lidhet me mënyrën se si institucioni garanton vijimin e hetimeve të nivelit të lartë përballë presioneve të mundshme politike.

Kështu, vëmendja ndërkombëtare është shtrirë përtej një dosjeje konkrete, duke përfshirë edhe funksionimin dhe pavarësinë e institucionit që po heton çështje me implikime të rëndësishme politike dhe ekonomike.

SPAK nuk zbulon detaje: “Sekreti hetimor” mbetet barriera

Pavarësisht numrit dhe natyrës së kërkesave, përgjigjet e SPAK-ut kanë qenë përgjithësisht të kufizuara nga rregullat që lidhen me sekretin hetimor.

Për kërkesat që lidhen me hetimet në fazën paraprake, institucioni ka bërë të ditur se nuk mund të japë informacione shtesë përtej atyre që janë bërë tashmë publike përmes njoftimeve zyrtare.

Në thelb, qëndrimi i SPAK-ut është se informacionet mbi veprimet hetimore, provat apo zhvillimet procedurale nuk mund të bëhen publike për sa kohë që mbrohen nga detyrimi ligjor për ruajtjen e sekretit hetimor.

Kjo ka bërë që një pjesë e pyetjeve të mediave ndërkombëtare të mbeten pa përgjigje konkrete për sa u përket detajeve të hetimeve.

Inceneratorët, një tjetër pikë interesi për median e huaj

Në regjistrin e kërkesave për informacion nuk mungojnë as çështje të tjera me dimension ndërkombëtar.

Media holandeze Financieele Dagblad është interesuar për pozitën e dy shtetasve holandezë të përfshirë në dosjen e inceneratorit të Tiranës.

Sipas përgjigjes së SPAK-ut, dy shtetasit janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa procedimi penal ndaj tyre është dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme për veprat penale që lidhen me pastrimin e parave dhe grupin e strukturuar kriminal.

Nga Belgjika, Gazet van Antwerpen ka kërkuar një intervistë lidhur me procedurat për ekstradimin e shtetasit E.N.

Kjo kërkesë nuk është pranuar nga SPAK-u, i cili ka argumentuar se seanca paraprake përkatëse zhvillohet me dyer të mbyllura.

Vëmendje ndërkombëtare për dosjet më të ndjeshme

Kërkesat e regjistruara gjatë muajit korrik tregojnë se aktiviteti i SPAK-ut po ndiqet nga afër edhe jashtë Shqipërisë.

Nga hetimet mbi pasuritë në bregdet dhe dyshimet për pastrimin e parave, te projektet turistike në Sazan e Zvërnec dhe dosjet me elementë ndërkombëtarë si ajo e inceneratorëve, pyetjet e mediave amerikane dhe evropiane janë fokusuar kryesisht te zhvillimet konkrete të procedimeve dhe pasojat që ato mund të kenë.

Në disa raste, përgjigjet zyrtare të SPAK-ut kanë mbetur të kufizuara nga sekreti hetimor, duke lënë jashtë informacionit publik një pjesë të detajeve që mediat ndërkombëtare kanë kërkuar të verifikojnë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.