Aksion antidrogë në Vlorë, 5 persona përfundojnë në pranga
2 prej tyre shtetas italianë
Policia e Vlorës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “WEST”, duke goditur një grup të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike në zonat turistike të qytetit.
Aksioni u zhvillua pas sigurimit të informacioneve operative mbi disa shtetas që transportonin dhe shpërndanin drogë me qëllim shitjen, kryesisht në plazhe dhe ambiente të frekuentuara gjatë sezonit veror. Nën drejtimin e Prokurorisë, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë ndërhynë duke çuar në arrestimin në flagrancë të pesë personave.
Në pranga ranë shtetasit N. K., 20 vjeç; R. H., 20 vjeç; M. M., 23 vjeç, të tre banues në Lezhë, si dhe C. L., 42 vjeç, banues në Romë dhe C. S., 37 vjeç, banues në Palermo.
Të dyshuarit u ndaluan në zonën e Zvërnecit, ndërsa gjatë kontrollit fizik, të automjetit dhe të banesës ku qëndronin në lagjen “Uji i Ftohtë”, policia zbuloi dhe sekuestroi rreth 700 doza të llojeve të ndryshme të lëndëve narkotike, të përgatitura për shitje. Po ashtu, u sekuestrua një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga aktiviteti kriminal, si dhe tetë aparate celularë.
Nga hetimet paraprake rezulton se grupi vepronte duke shpërndarë drogë në zona turistike, duke shfrytëzuar fluksin e pushuesve gjatë sezonit veror.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve, ndërsa ndaj të arrestuarve rëndon akuza për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



