Propozimi “fenomenal” i Gent Sejkos: Të ndalohet arrestimi im!
Drafti i ri i jep guvernatorit “mburojë” nga arrestimi pa lejen e Kushtetueses
Një ndryshim i rëndësishëm ligjor pritet të prekë drejtuesit e Bankës së Shqipërisë, të cilët mund të përfitojnë mbrojtje të posaçme nga arrestimi, ndalimi apo kontrollet personale dhe të banesës.
Ky parashikim është përfshirë në projektligjin e ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i hartuar nga vetë banka qendrore dhe i publikuar për konsultim publik nga Ministria e Financave. Drafti ka hapur debat mbi balancën mes pavarësisë institucionale dhe llogaridhënies ligjore.
Sipas nenit 72 të projektligjit, Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët nuk mund të arrestohen, të privohen nga liria në asnjë formë apo t’i nënshtrohen kontrollit personal dhe të banesës pa një autorizim paraprak nga Gjykata Kushtetuese.
Përjashtim nga ky rregull parashikohet vetëm në rastet kur zyrtarët kapen në flagrancë ose gjatë ndjekjes menjëherë pas kryerjes së një vepre penale. Në çdo situatë tjetër, prokurori i çështjes duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të marrë miratimin përkatës.
Projektligji përcakton gjithashtu një afat të qartë për shqyrtimin e kërkesave: Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet brenda dy javëve nga momenti i depozitimit të kërkesës. Nëse brenda këtij afati nuk merret një vendim, kërkesa e prokurorisë konsiderohet automatikisht e refuzuar.
Kjo formë mbrojtjeje për drejtuesit e Bankës së Shqipërisë rezulton më e zgjeruar krahasuar me praktikat e ndjekura në disa prej vendeve kryesore europiane. Në shtete si Gjermania, Italia, Franca, Belgjika dhe Britania e Madhe, guvernatorët e bankave qendrore mund të arrestohen pa qenë e nevojshme një autorizim paraprak nga një institucion tjetër kombëtar.
Në Bashkimin Europian, një mbrojtje e kufizuar lidhet me rolin që guvernatorët kanë si anëtarë të Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Europiane. Në këto raste, autorizimi i këtij institucioni kërkohet vetëm kur çështjet kanë lidhje direkte me ushtrimin e funksioneve në nivel europian, dhe jo për raste që lidhen me veprime private apo akuza si korrupsioni.
Historia e Shqipërisë njeh edhe precedentë të arrestimit të drejtuesve të Bankës së Shqipërisë, çka e bën këtë nismë edhe më të ndjeshme në aspektin publik dhe institucional.
Projektligji pritet të kalojë në faza të mëtejshme diskutimi, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ky nivel mbrojtjeje do të miratohet në formën aktuale apo do të pësojë ndryshime gjatë procesit parlamentar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



