Skandali i 350 shezllongëve/ Vidhen në Itali, përfundojnë në Durrës
pronari i identifikon, por askush nuk i kthen
Një histori që duket e pabesueshme po ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si funksionojnë institucionet dhe kontrolli i mallrave që qarkullojnë mes dy vendeve.
Sipas denoncimit, plot 350 shezllongë të vjedhur nga një kompleks turistik në Itali kanë përfunduar në një plazh në Durrës. Pronari italian pretendon se i ka identifikuar përmes logos së biznesit të tij, por pavarësisht kërkesave të bëra, autoritetet shqiptare nuk kanë ndërmarrë veprime për t’ia kthyer.
Nëse pretendimet rezultojnë të vërteta, pyetjet janë të drejtpërdrejta.
Si mund të transportohen qindra shezllongë të vjedhur nga Italia deri në Shqipëri pa u verifikuar origjina e tyre?
Përse, pasi pronari i ka identifikuar dhe ka kërkuar kthimin e tyre, institucionet nuk kanë vepruar?
Më e pakta që pritet në një rast të tillë është verifikimi i subjektit që i përdor. Nga janë blerë? A ekzistojnë fatura ose dokumente që provojnë origjinën e tyre? Si shpjegohet fakti që shezllongët mbajnë ende logon e një kompleksi turistik italian?
Rasti pritet të kërkojë një reagim të autoriteteve shqiptare, pasi nëse bëhet fjalë për mall të vjedhur, mosveprimi rrezikon të kthejë Shqipërinë në një strehë ku prona e vjedhur jo vetëm qarkullon, por edhe përdoret publikisht pa pasoja.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



