Moti i keq në Sarandë, Policia Kufitare shpëton 8 mjete lundruese
Fundosen dy skafe në portin e Limjonit
Stuhia e fuqishme që ka goditur zonën bregdetare të Sarandës ka krijuar situata të rrezikshme në det, duke vënë në vështirësi disa mjete lundruese dhe duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga Policia Kufitare.
Sipas të dhënave zyrtare, Komisariati i Policisë Kufitare Sarandë ka ndërhyrë në tetë raste të ndryshme për t’u ardhur në ndihmë mjeteve në vështirësi, duke shmangur pasoja më të rënda për drejtuesit dhe mjetet e tyre.
Tre prej mjeteve lundruese kanë hasur probleme në zonën e Bunecit, ku janë asistuar nga shërbimet dhe më pas janë shoqëruar në siguri drejt portit të Limjonit. Ndërkohë, dy mjete të tjera janë përballur me vështirësi për shkak të dallgëve të forta pranë Kepit të Qefalit. Për menaxhimin e situatës ka ndërhyrë skafi i Policisë Kufitare BP 11, ndërsa njëri prej mjeteve është rimorkiuar dhe transportuar drejt portit të Limjonit.
Një tjetër rast është regjistruar në Gjirin e Sarandës, ku një mjet lundrues ndodhej në rrezik mbytjeje. Falë ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve, ai është tërhequr dhe ankoruar në portin e Sarandës, duke shmangur një incident të mundshëm.
Ndihmë është dhënë gjithashtu edhe për dy mjete të tjera në zonën e njohur si “Pema e Thatë” në Ksamil, ku kushtet e përkeqësuara atmosferike kanë vështirësuar lundrimin.
Si pasojë e forcës së stuhisë, dy skafe që ndodheshin të ankoruara në portin e Limjonit janë zhvendosur rreth 100 metra nga vendndodhja fillestare dhe më pas janë fundosur.
Policia Kufitare Sarandë vijon patrullimin intensiv në det me të gjitha mjetet në dispozicion, duke qenë në gatishmëri për çdo situatë emergjente apo avari të mundshme që mund të krijohet nga kushtet e paqëndrueshme të motit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



