E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Egjiptiani i “Alba-Beton”drejtonte betonieren me patentë të skaduar
Lajme

Egjiptiani i “Alba-Beton”drejtonte betonieren me patentë të skaduar

Shoferi i autobetonieres së “Alba-Beton” rezulton me patentë të skaduar, ngrihen pikëpyetje mbi punësimin e dy viktimave egjiptiane

Të tjera detaje kanë dalë në dritë lidhur me aksidentin tragjik në Unazën Lindore të Tiranës, ku humbën jetën dy shtetas egjiptianë, Mohamed Lotf, 30 vjeç dhe Mohamed Ali, 44 vjeç, të punësuar pranë kompanisë “Alba-Beton”.

Drejtuesi i autobetonieres, Mohamed Lotf, rezulton se dispononte një leje drejtimi egjiptiane të skaduar, me afat vlefshmërie deri më 6 maj 2026. Kjo do të thotë se, në momentin e aksidentit, ai dyshohet se drejtonte mjetin pa një patentë të vlefshme.

Më herët, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) bëri të ditur se as Mohamed Lotf dhe as Mohamed Ali nuk ishin pajisur me leje drejtimi shqiptare, si edhe nuk dispononin Dëshmi Aftësie Profesionale (DAP) për profilin “Automakinist”, dokument i detyrueshëm për drejtimin e mjeteve për përdorim të veçantë, ku përfshihen edhe autobetonieret.

Dy shtetasit egjiptianë kishin mbërritur në Shqipëri rreth një muaj para aksidentit, të pajisur me vizë pune dhe leje qëndrimi njëvjeçare. Fillimisht u raportua se Mohamed Lotf kishte leje drejtimi për kamion, ndërsa Mohamed Ali ishte punësuar si pompist.

Aksidenti ndodhi të mërkurën rreth orës 16:20 në Unazën Lindore të Tiranës. Sipas pamjeve të publikuara, autobetonierja hyri me shpejtësi në rrethrrotullim, u përplas fillimisht me një automjet të drejtuar nga Roland Nuri, 28 vjeç, më pas theu barrierat metalike dhe përfundoi poshtë mbikalimit.

Nga përplasja humbën jetën dy shtetasit egjiptianë, ndërsa 28-vjeçari Roland Nuri pësoi lëndime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, megjithëse automjeti i tij u shkatërrua plotësisht.

Zhvillimet e fundit pritet të zgjerojnë fokusin e hetimeve, jo vetëm mbi dinamikën e aksidentit, por edhe mbi procedurat e punësimit, verifikimin e dokumentacionit dhe përgjegjësitë administrative të kompanisë që i kishte angazhuar në punë.

Një nga aksionerët e “Alba-Beton” është Erjon Harizi, i cili mban edhe detyrën e kryetarit të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë. Ndërkohë, shumicën e aksioneve të kompanisë e zotërojnë vëllezërit Artan, Adrian dhe Genci Dulaku.

Hetimet e Prokurorisë pritet të përcaktojnë nëse janë respektuar të gjitha detyrimet ligjore për punësimin e dy shtetasve të huaj dhe nëse ekzistojnë përgjegjësi penale apo administrative për personat që kanë autorizuar drejtimin e autobetonieres në këto kushte.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.