Antimafia sekuestron 2.6 ton kokainë, një shqiptar mes të arrestuarve
Një operacion i gjerë ndërkombëtar kundër trafikut të drogës ka çuar në sekuestrimin e mbi 2.6 tonëve kokainë dhe arrestimin e katër personave, mes tyre edhe një shtetas shqiptar. Aksioni u koordinua nga Prokuroria e Antimafias në Brescia të Italisë dhe përfshiu bashkëpunimin e disa agjencive ligjzbatuese evropiane.
Operacioni u realizua nga Guardia di Finanza e Brescias, përmes Komandës Operative Aeronavale dhe njësisë speciale S.C.I.C.O., në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e Spanjës dhe Portugalisë. Gjatë ndërhyrjes u ndalua një gomone oqeanike ultra e shpejtë e tipit “go-fast”, e cila u bllokua pranë brigjeve të Lisbonës nga Policia Detare portugeze.
Në bord ndodheshin katër persona, të cilët u vunë në pranga: dy shtetas spanjollë, një shtetas i Gjibraltarit dhe një shtetas shqiptar. Sipas të dhënave, shqiptari rezulton banues në Mantova dhe me vendbanim në provincën e Brescias.
Sipas autoriteteve italiane, sasia e drogës së sekuestruar ka një vlerë prej rreth 78 milionë eurosh në tregun e shumicës. Nëse do të arrinte të shpërndahej në rrjetin e paligjshëm, ajo do të gjeneronte të ardhura që përllogariten deri në 500 milionë euro.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu një trend në rritje të përdorimit të mjeteve lundruese të tipit “go-fast” nga grupet kriminale. Këto mjete, me gjatësi nga 10 deri në 16 metra dhe të pajisura me disa motorë të fuqishëm, përdoren për të shmangur kontrollet dhe për të transportuar ngarkesa të mëdha droge në distanca të gjata.
Monitorimi i gomones është kryer në mënyrë të vazhdueshme nga ajri, përmes avionëve të Guardia di Finanza, të pajisur me teknologji të avancuar për mbikëqyrjen detare. Ky operacion është pjesë e përpjekjeve të zgjeruara për kontrollin e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian dhe goditjen e rrjeteve ndërkombëtare të trafikut të drogës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





