E enjte, 29 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Po flisja me nënën në telefon”, si u kap “mat” Ermal Beqiri në Francë
Lajme

“Po flisja me nënën në telefon”, si u kap “mat” Ermal Beqiri në Francë

Biznesmeni shqiptar Ermal Beqiri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e “AKSHI-t”, është ndaluar në Francë pas një incidenti të pazakontë pranë centralit bërthamor të Penly, në rajonin Seine-Maritime.

Ndaj Beqirit, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) kishte caktuar më herët masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.

Sipas mediave franceze, ndalimi i tij ndodhi pasi ai drejtonte një avion të vogël civil që hyri në një zonë të ndaluar ajrore mbi centralin bërthamor të Penly. Avioni po fluturonte në një lartësi rreth 1200 metra, por piloti, vetë Beqiri, e uli papritur në rreth 1060 metra, duke shkelur kufizimet e sigurisë për këtë objekt strategjik.

Pas sinjalizimit për shkeljen, Forcat Ajrore franceze ndërhynë duke shoqëruar avionin deri në aeroportin e Albertit, në departamentin Somme. Menjëherë pas uljes, Beqiri u ndalua nga policia dhe u mor në pyetje.

Gjatë kontrollit fizik, autoritetet franceze zbuluan tre pajisje gjurmimi të tipit “AirTag” të fshehura në veshjet e tij. Hetuesit po verifikojnë arsyet e posedimit të këtyre pajisjeve dhe nëse fluturimi ishte i qëllimshëm apo i ndikuar nga palë të treta.

Para autoriteteve, Beqiri ka deklaruar se shkelja ishte pasojë e një gabimi në lartësinë e fluturimit dhe se në momentin e incidentit ishte duke folur në telefon me nënën e tij. Megjithatë, shpjegimet e tij janë konsideruar të paqarta dhe jo bindëse.

Dyshime ka ngritur edhe itinerari i fluturimit, i cili përfshinte nisjen nga Alberti, kalimin drejt Calais dhe më pas drejt Bretanjës, përpara se të fluturonte mbi centralin bërthamor.

Për shkeljen e hapësirës ajrore të ndaluar, Beqiri është gjobitur me 7 mijë euro dhe më pas i është dorëzuar Zyrës Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO). Ai pritet t’i nënshtrohet procedurave për ekstradim drejt Shqipërisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.