“Peshkaqeni” i AKSHI-t Ermal Beqiri del sot para gjykatës në Francë
“Peshkaqeni” i AKSHI-t Ermal Beqiri del sot para gjykatës pas arrestimit në Francë
Autoritetet franceze kanë arrestuar në qytetin e Amiens biznesmenin shqiptar Ermal Beqiraj, 44 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Sipas Policisë së Shtetit, arrestimi u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Lion, pas shkëmbimit të informacioneve ndërmjet dy strukturave ligjzbatuese. Fillimisht, Beqiraj u ndalua nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, të cilat më pas ia referuan rastin autoriteteve të Xhandarmërisë Franceze.
Ndaj tij, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”. Beqiraj përballet me akuza të rënda, përfshirë heqje të paligjshme të lirisë, konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Aktualisht, 44-vjeçari ndodhet në paraburgim në Francë. Ai pritet të dalë sot para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



