E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ministria e Drejtësisë i dërgon kërkesën Francës për ekstradimin e Ermal Beqirit
Lajme

Ministria e Drejtësisë i dërgon kërkesën Francës për ekstradimin e Ermal Beqirit

Ministria e Drejtësisë ka nisur zyrtarisht procedurat për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiri nga Franca drejt Shqipërisë. Burime pranë Prokurorisë së Posaçme konfirmojnë se kërkesa është përcjellë tek autoritetet franceze, pas një kërkese të bërë nga SPAK.

Në dosjen e dërguar për ekstradim është përfshirë edhe vendimi i Gjykatës së Posaçme, e cila ka caktuar ndaj Beqirit masën e sigurisë “arrest në burg”, si person i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale.

Biznesmeni u arrestua disa ditë më parë në Francë, ndërsa ishte duke udhëtuar me avion privat. Arrestimi i tij erdhi në kuadër të hetimeve të zhvilluara nga autoritetet shqiptare për një skemë të dyshuar abuzimi me tenderat publikë.

Paralelisht me kërkesën për ekstradim, SPAK ka ndërmarrë edhe veprime për sekuestrimin e pasurive të dyshuara me origjinë kriminale në territorin francez. Sipas informacioneve zyrtare, bëhet fjalë për llogari bankare me vlerë mbi 2 milionë euro, dy apartamente, një pronë luksoze në departamentin Oise me vlerë rreth 2.6 milionë euro, si dhe mjete të tjera pasurore.

Ermal Beqiri dyshohet se është i përfshirë në abuzime me tenderat e AKSHI-t, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Ndaj tij janë ngritur disa akuza të rënda, përfshirë konkurrencën e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqjen e paligjshme të lirisë, shkeljen e barazisë në tendera, pastrimin e parave dhe korrupsionin aktiv të funksionarëve publikë.

Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa pritet vendimi i autoriteteve franceze për procedurën e ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.