E shtunë, 31 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si ra pre e autoriteteve Ermal Beqiri dhe lidhja e tij me Ergys Agasin
Investigim

Si ra pre e autoriteteve Ermal Beqiri dhe lidhja e tij me Ergys Agasin

Si përfitoi Ermal Beqiri tender për mirëmbajtjen e sistemit të KESH edhe pas arrestimit?

Zbardhet dëshmia e Gerond Meçes për rrëmbimin e tij

Biznesmeni Ermal Beqiri, i arrestuar në Francë ndërsa ishte në kërkim nga autoritetet shqiptare për çështjen e tenderave të AKSHI-t, është një nga personazhet kryesorë të dosjes që po hetohet nga Prokuroria e Posaçme.

Në emisionin “Në Shënjestër” janë trajtuar disa prej episodeve që lidhen me aktivitetin e tij, pasuritë e krijuara në Francë, marrëdhënien me biznesmenin Ergys Agasi dhe dyshimet për përfitimin e miliona eurove nga kontratat publike.

Dokumentari rindërton edhe një ngjarje të pazakontë në Francë: fluturimin e Beqirit me një avion të lehtë mbi centralin bërthamor të Penly-t, ndërhyrjen e autoriteteve franceze dhe identifikimin e tij. Pas verifikimeve, autoritetet zbuluan se piloti ishte një person i shpallur në kërkim në Shqipëri.

Në fokus janë edhe pasuritë që, sipas të dhënave të referuara nga SPAK dhe autoritetet franceze, lidhen me Beqirin në Francë: llogari bankare me mbi dy milionë euro, dy apartamente dhe kështjella historike Château d’Auteuil, për të cilën është regjistruar një transaksion prej 2.612.200 eurosh.

Por dokumentari nuk ndalet vetëm te pasuritë. Ai sjell edhe skemën financiare që, sipas hetimeve, lidh Beqirin me Ergys Agasin dhe tenderat e AKSHI-t, si dhe pagesat përmes kompanive “Soft & Solution”, “Fastech” dhe “First”.

Një tjetër pjesë e rëndësishme i kushtohet kompanisë “EA Solution”, kapaciteteve të saj për të përmbushur kontratat publike dhe një kontrate me KESH-in me vlerë rreth 10 mijë euro. Në këtë procedurë përmendet edhe emri i Joana Bushit.

Në fund, dokumentari sjell rrëfimin e biznesmenit Gerond Meçe, administrator i kompanisë “Advanced Business Solutions ABS”, i cili pretendon se më 12 gusht 2025 u rrëmbye nga persona të maskuar si efektivë të Policisë dhe të BKH-së, me qëllim që të tërhiqej nga ankimimet dhe procedurat e tenderimit në AKSHI. Meçe ka drejtuar dyshimet e tij ndaj Ermal Beqirit, pretendime që mbeten pjesë e dëshmisë së tij.

Fluturimi mbi centralin bërthamor të Penly-t dhe arrestimi në Francë

Një gabim gjatë pilotimit të avionit të lehtë do të tërhiqte vëmendjen e autoriteteve franceze ndaj Ermal Beqirit. Ai kishte hyrë në hapësirën ajrore të kufizuar mbi centralin bërthamor të Penly-t, në Seine-Maritime, duke shkaktuar alarm për shkak të rëndësisë strategjike të këtij objekti.

Pas ndërhyrjes së autoriteteve, avioni u detyrua të ulej në aerodromin e Albert-it. Verifikimet zbuluan identitetin e pilotit dhe faktin se ai ishte në kërkim në Shqipëri për hetimet që lidhen me tenderat e AKSHI-t.

Dokumentari ndalet edhe te rëndësia e centralit të Penly-t, ku Franca ka nisur përgatitjet për ndërtimin e dy reaktorëve të rinj bërthamorë EPR2. Pikërisht ky status strategjik shpjegon reagimin e menjëhershëm të autoriteteve franceze.

Pjesë nga dokumentari:

Por kush është Ermal Beqiri?!

Cila është lidhja e tij me Ergys Agasin?

Dhe si mundi ai të përfitojë miliona euro nga AKSHI?

Personazhi që ndërsa ishte shpallur në kërkim në Shqipëri, fluturonte i lirë mbi qiellin francez, duke pilotuar një avion të vogël.

Por që mesa duket një gabim i tij në pilotim e kishte drejtuar mbi centralin bërthamor të Penly në Seine-Maritime.

Çka kishte sjellë për pasojë alarmimin e autoriteteve franceze, të cilët e kishin urdhëruar të zbriste në tokë.

Ku ajo që e shtoi edhe më shumë vëmendjen ndaj këtij avioni të çuditshëm që po bënte një fluturim jo të zakontë mbi një qendër të rëndësishme bërthamore,

ishte edhe fakti se termocentrali Penly është po kështu vendi i ndërtimit të EPR-2 të ardhshëm.

Një çift reaktorësh bërthamorë të gjeneratës së ardhshme, për të cilët ka një interes në nivel botëror.

Grafikë – Autoritetet franceze

‘Ndërsa fluturonte në një lartësi prej 3 700 këmbësh (afërsisht 1 200 metrash), piloti papritmas uli hundën e avionit në 3 500 këmbë, një lartësi nën limitin ligjor për fluturim mbi vende të ndjeshme’.

Por me të zbritur në tokë, dhe pas verifikimit të kryer, pavarësisht justifikimit të tij se kishte humbur drejtimin e avionit, pasi sipas tij po fliste me nënën në telefon, u kuptua se drejtuesi i avionit nuk ishte thjesht një pilot profesionist që posedonte një patentë për drejtimin e këtyre avionëve, por edhe një i shumëkërkuar në vendin e tij të origjinës, në Shqipëri.

Grafikë – Mediat franceze

Penly nuk është një central bërthamor i zakonshëm. Ai është zgjedhur nga shteti francez dhe kompania shtetërore EDF si vendi ku do të ndërtohen dy reaktorët e parë EPR2, pjesë e programit kombëtar për gjashtë reaktorë të rinj bërthamorë, që do të ngrihen gjithashtu në Gravelines dhe Bugey.

Projekti konsiderohet një nga investimet më të mëdha strategjike të Francës në dekadat e fundit dhe synon të vendosë në funksion reaktorin e parë në horizontin e vitit 2038.

Sipas dokumenteve dhe njoftimeve zyrtare të EDF, Penly është sot kantieri i parë i programit EPR2,

ku tashmë kanë nisur punimet përgatitore, investimet infrastrukturore dhe mobilizimi i mijëra punonjësve.

Projekti konsiderohet një nga kantieret industriale më të mëdha në Europë dhe një element kyç i strategjisë franceze për sigurinë energjetike.

Pikërisht ky status strategjik shpjegon edhe reagimin e menjëhershëm të autoriteteve franceze ndaj fluturimit të paautorizuar mbi central.

Dy avionë ushtarakë të xhandarmërisë franceze e detyruan Beqirin të ulej në aerodromin e Albert-it.

Piloti do të identifikohej si Ermal Beqiri, një emër që për francezët nuk kishte ndonjë rëndësi, por në Shqipëri ishte personi i dytë më i kërkuar në vend.

Dhe që ishte në hetim për dosjen e AKSHI-t.

Ose i njohur ndryshe edhe si krahu i djathtë i Ergys Agasit.

Ermal Beqiri, që e konsideronte veten zot në qiell, por që ishte i shumëkërkuar në tokën e tij.

Që kishte mundur që me paratë e fituara nga AKSHI, të krijonte një jetë përrallore.

Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Francë, ku fshihej.

Aty ku thuhet se krahas jahteve luksoze, avionëve të lehtë civilë, apo jetës me verëra të shtrenjta, kishte blerë edhe një kështjellë.

Një jetë luksi e cila nuk kishte sesi të ishte më pak e ndryshme nga ajo e kumbarit të tij, Ergys Agasi.

I cili edhe ky kishte një kompleks vilash me pishina në periferi të Tiranës.

Ku gjatë kontrollit në një nga vendstrehimet e tij, atij iu gjetën verëra të shtrenjta në vlerën 3 milion euro.

Verëra të cilat më pas çuditërisht u zhdukën ndërsa duhet të ruheshin nga policia.

Ermal Beqiri që në Shqipëri krah vilave, llogarive bankare, dhe makinave luksoze, posedonte edhe një jaht me vlerë 1 milion euro të quajtur ‘Skyfall’.

Por që duket se jeta luksoze në Shqipëri i rrinte disi ngushtë.

Për këtë arsye ai kishte menduar të investonte edhe jashtë Shqipërisë.

Ku del se kishte blerë edhe një kështjellë vetëm një orë larg Parisit.

Pikërisht këtë këtu, në departamentin Oise.

Kështjellën Chateau d’Auteuil.

Një kështjellë me një stil imponues e ndërtuar në shekullin e 16-të, e rrethuar nga një hendek, si dhe gjurmë të themeleve të kështjellës së vjetër të shkatërruar.

Chateau d’Auteuil e cila u rindërtua ‘pothuajse tërësisht’ në vitin 1858, pothuajse në mënyrë identike dhe mbi bazat e ndërtesës së vjetër origjinale.

Një ndërtesë e cila në vitin 2003, u restaurua nga Pol dhe Sabine de La Pintière, të cilët e blenë këtë kështjellë dhe ndërmorën një punë të madhe për ta rikthyer atë në pamjen e saj të mëparshme.

Ku që atëherë, 70% e 35 dhomave janë restauruar, duke respektuar historinë.

Por që ende është e paqartë se si Ermal Beqiri, emri i të cilit del edhe te rubrika ‘Mentions légales’, mundi ta bëjë të vetën këtë kështjellë.

Pa lënë mënjanë faktin që paratë nuk i mungonin.

Grafikë – SPAK

Ermal Beqirit iu zbulua një ‘llogari bankare me një vlerë totale prej mbi dy milionë eurosh, dy apartamente, si dhe u evidentua blerja e një kështjelle Chateau d’Auteuil, një rezidencë historike në komunën Berneuil-en-Bray, në departamentin Oise, me vlerë rreth 2.6 milionë euro, mjete motorike etj.

Fakti që kështjella është blerë nga Ermal Beqiri, konfirmohet edhe nga vetë autoritetet franceze, që bëjnë me dije se vlera e transaksionit është 2 612 200 euro.

Transaksion i cili thuhet se është regjistruar në regjistrin e pronave të paluajtshme në Francë më 30 dhjetor 2024.

Ku shkruhet se Chateau d’Auteuil u shit për 2 612 200 euro.

Grafikë – SPAK

Më datë 5 Dhjetor 2025, SPAK ka regjistruar emrin e shtetasit Ermal Beqiri, si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, për kryerjen e veprave penale ‘Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës’, ‘Heqja e paligjshme e lirisë’, ‘Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’ e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal.

Hetimet fillestare sugjeronin se Ermal Beqiri, ndodhej në Francë, gjë që përputhej me informacionin e dhënë nga Prokurorët e Posaçëm të SPAK-ut.

Hetimet e mëtejshme nga autoritetet franceze e konfirmuan këtë informacion dhe identifikuan disa asete me origjinë kriminale të ndodhura në Francë, veçanërisht llogari bankare me një vlerë totale prej mbi dy milionë eurosh, dy apartamente, si edhe u evidentua blerja e një kështjelle në departamentin e Oise rreth 2.6 milion euro, mjete motorike etj,

Më datë 24 korrik 2026, shtetasi Ermal Beqiri u arrestua nga autoritetet ligjzbatuese franceze pasi hyri me një avion të lehtë në hapësirën ajrore të kufizuar të centralit bërthamor të Penly-t (Seine-Maritime) dhe u detyrua të ulej në aerodromin e Albert-it (Somme).

Gjykata franceze urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të tij, për qëllim ekstradimi drejt Republikës së Shqipërisë.

Skema e pagesave përmes kompanive dhe kontrata me KESH-in

Një tjetër pjesë e dokumentarit trajton mënyrën se si, sipas hetimeve të SPAK-ut, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri kanë bashkëpunuar për të përfituar shuma të konsiderueshme nga tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Në vendimin gjyqësor për sekuestrimin e pasurive përmenden pagesat e kryera përmes kompanive “Soft & Solution”, në pronësi të Ermal Beqirit, “Fastech”, të lidhur me Andis Papën, dhe “First”, të lidhur me Gëzim Hoxhën. Këto pagesa, të paraqitura formalisht si pagesa për shërbime të ndryshme, dyshohet se në të vërtetë përbënin shpërblime për përfitimin e tenderave të AKSHI-t.

Sipas SPAK-ut, kompania “EA Solution” nuk kishte kapacitete teknologjike apo burime njerëzore për të realizuar angazhimet që merrte përmes kontratave. Dokumentari përmend gjithashtu shpërblime të tjera që, sipas hetimeve, përfitonte Agasi, përfshirë verëra me vlerë mbi 900 mijë euro.

Pavarësisht hetimeve ndaj Beqirit, dokumentari ngre pikëpyetje edhe për vijimin e përfitimit të kontratave publike nga kompania e tij. Në fokus është një kontratë me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, me vlerë rreth 10 mijë euro, për mirëmbajtjen e sistemit financiar të KESH-it.

Në këtë procedurë përmendet edhe Joana Bushi, e cila, sipas materialit, ka punuar pranë ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe aktualisht është e emëruar në një pozicion që lidhet me menaxhimin e tenderave pranë KESH-it. Dokumentari sjell gjithashtu pretendimin se Bushi është pjesë e dosjes hetimore për pastrim parash që lidhet me Ballukun.

Pjesë nga dokumentari:

Por pse SPAK ka bindjen se Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri kanë bashkëpunuar së bashku për të përfituar miliona euro nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, njohur ndryshe si AKSHI.

Grafikë – Dosja Hetimore

Sipas vendimit të Gjykatës për sekuestrimin e pronave dhe pasurive të tij, përmes shoqërisë së tij ‘EA Solution’, Ergys Agasi ‘ka përfituar vlera të konsiderueshme monetare nga operatorët ekonomikë ‘Soft & Solution’ sh.p.k., në pronësi të Ermal Beqirit, ‘Fastech’ sh.p.k. të Andis Papa dhe ‘First’ sh.p.k. të Gëzim Hoxha.

Pagesat janë bërë formalisht për shërbime të ndryshme, por siç rezulton nga hetimet, ato ishin në të vërtetë shpërblim i dhënë për fitimin e tenderëve të AKSHI-t,

falë lidhjeve të ngushta që Agasi kishte me drejtoreshën e këtij institucioni Mirlinda Karçanaj, dorëhequr pas marrjes së saj si e pandehur.

Hetimi dokumentoi se ‘EA Solution’ nuk zotëronte asnjë kapacitet teknologjik apo burim njerëzor për të përmbushur angazhimet që formalisht merrte përmes kontratave.

Përveç pagesave direkte Agasi merrte edhe shpërblime të tjera sipas SPAK, siç ishin verërat e shtrenjta, që shkonin mbi 900 mijë euro.’

Por edhe pse ndodhet i arrestuar në Francë, ajo që është më skandaloze, është fakti se kompania e Ermal Beqirit, pavarësisht hetimeve dhe aferave korruptive në të cilat është përfshirë, vazhdon të marrë para nga buxheti i shtetit.

Nga ku rezulton se kompania ‘Soft & Solution’, në emër të Ermal Beqirit, pavarësisht shumës në dukje modeste, ka përfituar një kontratë publike në pronësi të biznesmenit Ermal Beqiri, ka fituar një tjetër kontratë publike nga KESH me vlerë rreth 10 mijë euro.

Kontratë që lidhet me mirëmbajtjen e sistemit financiar të KESH-it.

Pra kompania e Ermal Beqirit, do të kujdeset tashmë të mirëmbajë sistemin financiar të KESH-it, teksa është në hetim për tenderat e AKSHI-t.

Këtu nga ku mësohet se personi përgjegjës për këtë procedurë është Joana Bushi, ish-bashkëpunëtore e afërt e ish-zv/Kryeministres Belinda Balluku.

Edhe kjo e fundit në hetim nga SPAK, për disa vepra të rënda penale që lidhen me korrupsionin.

Joana Bushi e cila ka qenë fare pranë Ballukut, derisa kjo e fundit u largua nga drejtimi i Ministrisë së Infrastrukturës, në shkurtin e vitit 2026, pas hetimeve të hapura nga Prokuroria e Posaçme.

Ndërkohë që aktualisht zonja Bushi, është e emëruar si menaxhuese tenderash pranë Korporatës Elektroenergjitike.

Edhe pse është pjesë e dosjes hetimore për ‘pastrim parash’ të ish-shefes së saj, Belinda Balluku.

Teksa tashmë pritet zbërthimi i Ergys Agasit dhe ekstradimi i Ermal Beqirit nga Franca, për të parë poshtë asaj që deri më tani ka qenë vetëm maja e ajsbergut të aferës së AKSHI-t.

Por edhe të skemës mafioze se si krimi ka vënë përposhtë qeverinë.

Gerond Meçe rrëfen rrëmbimin e pretenduar: “Duhet të tërhiqesh nga tenderat”

Dokumentari i “Në Shënjestër” i kushton një hapësirë të veçantë edhe ngjarjes së 12 gushtit 2025, kur biznesmeni Gerond Meçe pretendon se u rrëmbye dhe u mbajt peng për disa orë nga persona të maskuar si punonjës të Policisë dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Meçe, inxhinier elektronik dhe administrator i kompanisë “Advanced Business Solutions ABS”, tregon se prej vitit 2016 kompania e tij merrte pjesë në procedurat e prokurimit të AKSHI-t dhe se, vetëm nga janari deri në korrik 2025, kishte ankimuar rreth 20 procedura tenderimi, kryesisht pranë kësaj agjencie, por edhe në institucione të tjera.

Sipas dëshmisë së tij, personat që e morën me forcë i kërkuan të tërhiqej nga tenderat e ankimuar dhe nga proceset gjyqësore kundër AKSHI-t. Ai pretendon se u dërgua në zonën e Krrabës, u kërcënua dhe u ushtrua presion për t’u dhënë fjalëkalimin e telefonit.

Meçe rrëfen se personat që e mbanin peng komunikonin nga telefoni i tij me administratorin e kompanisë, duke kërkuar tërheqjen nga procedurat. Ai thotë gjithashtu se gjatë kthimit u përdorën sirenat e policisë për të hapur rrugën dhe se, para se ta linin në mes të rrugës, u kërcënua me jetë ai dhe familjarët e tij.

Në dëshminë e paraqitur në dokumentar, Meçe drejton dyshimet ndaj biznesmenit Ermal Beqiri, për shkak të lidhjeve që pretendon se ai kishte me drejtues të AKSHI-t dhe me Ergys Agasin. Këto janë pretendimet e biznesmenit dhe nuk përbëjnë një konstatim përfundimtar të përgjegjësisë penale të Beqirit.

Pjesë nga dokumentari:

Gerond Meçe i cili do të akuzonte pikërisht biznesmenin tjetër Ermal Beqiri, që edhe ky shfaqet në ambientet e biznesit të Agasit në prani të tij dhe të drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, se ishte pikërisht ai që kishte dorë në rrëmbimin dhe mbajtjen e tij peng.

Kjo me qëllim heqjen dorë nga ankimimet që Meçe kishte bërë kundrejt AKSHI-t, për skualifikimet që kjo agjenci i kishte bërë kohë pas kohe kompanisë së tij nga gara.

Ashtu siç kishte ndodhur kur më datë 12 Gusht 2025, Meçe u mor dhe u mbajt peng për disa orë jashtë Tiranës.

Grafikë – Gerond Meçe

Unë quhem Gerond Meçe dhe profesioni im është inxhinier elektronik. Aktualisht punoj në një biznes privat.

Nga viti 2006 e në vazhdim unë jam ortak i vetëm dhe administrator i kompanisë që quhet ‘Advanced Business Solutions ABS’.

Nga viti 2016, me pak përjashtime, ne jemi pjesëmarrës në pothuajse çdo tender në fushën e teknologjisë dhe informacionit që zhvillohet nga AKSHI (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit).

Ajo që dua të them është se nga janari i vitit 2025 deri në korrik të këtij viti, kompania ‘ABS’ ka ankimuar gati 20 procedura prokurimi në të cilat ka marrë pjesë, kryesisht në AKSHI por edhe në institucione të tjera si KLGJ, UKT etj.

Më datë 12 gusht 2025 unë kam qenë në shtëpi deri rreth orës 10:30 paradite.

Kur kam dalë nga pallati ku banoj, në ecje e sipër duke u afruar te makina ime, unë hapa në distancë bagazhin ku vendosa aty çantën e shpinës dhe atë të dorës.

Në këtë moment pranë meje u afrua një automjet fuoristradë ‘Range Defender’, ngjyrë e zezë, me fenelina policie, me targa shqiptare, ku më vonë kam parë që targat e këtij automjeti janë AC121 JJ.

Ku një nga personat në makinë që mbante veshur një jelek të verdhë me mbishkrimin BKH, pasi më thirri në emër më tha: ‘Jemi SPAK-u, duhet të vish me ne, hyr në makinë’.

Pasi u futa në makinë shoferi i cili ishte me maskë, i tha njërit prej personave që të merrte dy çantat e mia në bagazhin e makinës sime.

Pasi u thashë: ‘Çuna, e mora vesh se çfarë jeni’, një nga personat në makinë nisi të më shtrëngojë prangat pasi unë refuzova t’i jepja password-in.

Pasi makina mori drejtimin për nga Elbasani, itinerari vazhdoi për në rrugën e vjetër, në fshatin Krrabë.

Kur ndaluam, ata më kërkuan t’u jepja sërish password-in e telefonit. Gjë të cilën refuzova t’ua jap, por në këtë moment shoferi erdhi dhe më goditi me shpullë.

Gjatë kësaj kohe ata morën telefonin dhe e vendosin te gishti im pasi duart i kisha të lidhura mbrapa.

Gerond Meçe i cili rrëfeu më tej se si ai u mbajt peng për afro 5 orë.

Ndërkohë që personat që e kishin marrë peng komunikonin herëpashere nga telefoni i tij me administratorin e kompanisë së tij, me qëllim që ai të tërhiqte kompaninë nga procedurat e tenderimit.

Grafikë – Gerond Meçe

Në momentin e parë i thashë ‘Jo’, por perceptova që dikush e ka organizuar këtë ngjarje për shkak të ankimimeve të mia.

Që ishin shtatë deri në nëntë procedura.

Ndërkohë që personi i parë më thotë: ‘Janë tendera që ke ankimuar ti dhe duhet të tërhiqesh.’

U thashë: ‘Çuna, muk bëhet kështu kjo punë’.

Ndërkohë që unë u përpoqa t’u mbush mendjen që tërheqja nuk bëhet në këtë moment duke u treguar se nuk jam më administrator, gjë të cilën ata më thanë që e dinin.

Por u thashë që nëse do të më lironin do e bëja në ditët në vijim.

Ndërsa m’u duk se situata po shkonte në favorin tim, personi i parë, ai që më herët mbante bluzën e BKH-së, më tha që të tërhiqesha edhe nga gjyqi në Gjykatën Administrative.

Por gjatë kohës që personi i parë po fliste me mua, unë pashë që shoferi, por dyshoj se edhe një person i pestë që mund të ketë ardhur aty pranë me një makinë tjetër besoj ‘Volvo’, ka nisur të flasë nga telefoni im me administratorin e kompanisë time Sh. K, duke i thënë: ‘Po ti na the që nuk bëhet, ndërkohë administratori thotë bëhet’.

Gjithashtu në këtë moment ata pyetën edhe personin e parë se: ‘Çfarë po presim?’

Teksa ai u tha që: ‘S’kemi konfirmim’.

Ndërkohë që ora përballë në makinë shënonte në këtë moment 15:10.

Gjatë kthimit, grupi i rrëmbyesve përdori sirenën e policisë për të hapur rrugën.

Në momentin që po më linin, shoferi më tha se: ‘Nuk dua probleme nga ty, nuk dua denoncime nga ty, në të kundërt do të vrasim ty, gruan, motrën, nënën, se babë nuk ke ti’.

Por edhe pse i premtuan që do i kthenin laptopin dhe sendet e tjera personale që ata ia mbajtën, kjo gjë nuk duket se ndodhi.

Ndërkohë që biznesmeni u la në mes të rrugës pa telefon dhe pa para në xhep.

Ku vetëm rastësia, bëri që ai të kthehej në banesë.

Dhe të fillonte të mendonte të gjithë atë që kishte ndodhur.

Si dhe kush mund të ishin personat që kishin urdhëruar dhe organizuar rrëmbimin dhe kërcënimin e tij.

I pyetur mbi dyshimet që ai kishte lidhur mbi personat e mundshëm që mund të kishin gisht në rrëmbimin dhe më pas atë që ndodhi, qëllimin për tërheqjen nga tenderat në AKSHI, apo edhe ankimimet, biznesmeni Gerond Meçe, u ndal te një emër që sipas tij mund të ishte strumbullari i gjithë këtij skenari.

Ky emër ishte biznesmeni Ermal Beqiri i cili sipas tij kishte lidhje të forta brenda AKSHI-t.

Por ishte edhe mik i Ergys Agasit, ku siç do të shikohet në vazhdim, ata shikohen shpesh në shoqërinë e njëri-tjetrit.

Kjo bazuar edhe në filmimet që vetë Agasi ka ruajtur.

Çfarë mbetet në fokus të hetimeve

Rasti i Ermal Beqirit përfshin disa linja që lidhen me hetimet për AKSHI-n: pasuritë e evidentuara në Francë, pagesat që dyshohet se janë kryer përmes disa kompanive, marrëdhënia me Ergys Agasin dhe pretendimet e Gerond Meçes për presion ndaj operatorëve që merrnin pjesë në tendera.

Sipas të dhënave të paraqitura në dokumentar, më 5 dhjetor 2025 SPAK regjistroi emrin e Beqirit si person ndaj të cilit zhvilloheshin hetime për konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje të paligjshme të lirisë dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në formën e bashkëpunimit të grupit të strukturuar kriminal.

Më 24 korrik 2026, ai u arrestua në Francë pas incidentit me avionin e lehtë mbi centralin bërthamor të Penly-t. Sipas materialit, gjykata franceze urdhëroi vijimin e paraburgimit me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Zhvillimet e mëtejshme të hetimit pritet të hedhin dritë mbi rolin që dyshohet se kanë pasur personat dhe kompanitë e përmendura në dokumentar, si dhe mbi burimin dhe destinacionin e pasurive të evidentuara nga autoritetet shqiptare dhe franceze./NëShënjestër

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.