Zbardhen prapaskenat e përplasjes së fortë të Evis Salës me Ramën
Ministrja refuzoi të firmosë projektligjin, kreu i qeverisë i vendos ultimatum
Një draftprojektligj, i cili ende nuk është bërë publik zyrtarisht, ka sjellë diskutime dhe tensione brenda qeverisë për mënyrën se si do të organizohet në të ardhmen sistemi i furnizimit me barna dhe pajisje mjekësore.
Sipas informacioneve, në qendër të debatit është krijimi i një super-shoqërie shtetërore, e cila do të marrë kompetenca të gjera mbi menaxhimin e këtij sektori. Mësohet se drafti nuk ka gjetur dakordësi të plotë, ndërsa brenda Ministrisë së Shëndetësisë ka pasur rezerva për përmbajtjen e tij.
Projektligji parashikon ngritjen e një strukture të vetme që do të administrojë pothuajse të gjithë zinxhirin e furnizimit, duke nisur nga planifikimi dhe prokurimi, deri te importi, magazinimi, shpërndarja e barnave dhe pajisjeve mjekësore, si edhe administrimi i rezervave strategjike.
Po ashtu, drafti i hap rrugë bashkëpunimit me operatorë privatë në fusha të caktuara të aktivitetit, ndërsa në qarqet e sektorit flitet edhe për interesimin e kompanive të huaja për t’u përfshirë në këtë model të ri administrimi.
Burime pranë procesit bëjnë me dije se mosmarrëveshjet për projektligjin kanë krijuar tensione në nivelet më të larta të qeverisë, ndërsa pritet që gjatë javëve të ardhshme të merret një vendim përfundimtar mbi fatin e draftit.
Nëse miratohet, ky projektligj pritet të ndryshojë ndjeshëm mënyrën se si menaxhohen fondet dhe furnizimet në sistemin shëndetësor shqiptar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



