Mërgata shqiptare sërish në shesh, sot dita e 77-të e protestës
Sot zhvillohet protesta e 77-të kundër qeverisë së Edi Ramës, ndërsa qytetarët pritet të mblidhen sërish në rrugët e Tiranës për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe largimin e qeverisë.
Tubimi i radhës do të nisë në orën 19:30, në të njëjtin orar me protestën e mbrëmshme. Pjesë e saj pritet të jenë edhe shqiptarë nga diaspora, të cilët gjatë ditës së djeshme iu bashkuan protestuesve në kryeqytet.
Protesta e 76-të solli një pjesëmarrje të konsiderueshme, me qytetarë që marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Tubimi nisi nga Stacioni i Trenit dhe vijoi drejt Sheshit “Skënderbej”, përpara se protestuesit të ndaleshin para Kryeministrisë.
Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje kundër qeverisë, ndërsa kërkesa kryesore mbeti e pandryshuar: dorëheqja e Edi Ramës dhe largimi i qeverisë së tij.
Edhe mbrëmjen e sotme pritet që protestuesit të ndjekin të njëjtin itinerar, duke u nisur nga Stacioni i Trenit dhe duke marshuar drejt qendrës së Tiranës.
Protestat pas ngjarjes në Zvërnec
Protestat e përnatshme morën një tjetër dimension pas incidentit të regjistruar gjatë protestave në Zvërnec. Një banor që kundërshtonte zhvillimet e planifikuara në zonën e mbrojtur u tërhoq zvarrë nga një punonjës i sigurisë private pranë territorit ku parashikohet ndërtimi i një resorti luksoz.
Ngjarja u kthye në një nga momentet që ndikuan në intensifikimin e protestave, të cilat vijojnë prej rreth dy muajsh e gjysmë në bulevardin e Tiranës.
Krahas tubimeve në kryeqytet, protesta janë zhvilluar edhe në diasporë, në qytete të ndryshme ku jetojnë komunitete shqiptare. Ndërkohë, në disa zona të vendit janë zhvilluar protesta të tjera lidhur me Reformën Territoriale, ku banorët kanë kundërshtuar shkrirjen ose bashkimin e bashkive të tyre.
Me protestën e 77-të, qytetarët pritet të rikthehen sërish në rrugët e Tiranës, duke përsëritur kërkesën për largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



