E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tenderi i dializës,  Allajbeu : Unë bëra histori!
Lajme

Tenderi i dializës, Allajbeu : Unë bëra histori!

“Nuk kam asnjë interes në procedurën e re”

Klodian Allajbeu ka reaguar publikisht pas debatit të hapur për tenderin e ri të shërbimit të hemodializës, me vlerë rreth 49 milionë euro, duke mohuar çdo përfshirje apo interes të tij dhe të kompanive të lidhura me të në procedurën e ardhshme.

Reagimi i Allajbeut vjen pas deklaratave të bëra për tenderin e ri, ku emri i tij dhe Spitali Amerikan u përmendën si përfitues të mundshëm të kontratës së re për ofrimin e shërbimit në pesë spitale publike.

Allajbeu thotë se e konsideron të nevojshëm një sqarim publik për të shmangur, sipas tij, çdo keqinterpretim apo spekulim.

Duke iu referuar periudhës kur ka qenë i përfshirë në koncesionin e hemodializës, Allajbeu e cilëson atë si një “histori suksesi”, duke argumentuar se investimet në infrastrukturë, pajisje dhe trajnimin e personelit mundësuan zgjerimin e shërbimit dhe ofrimin e tij pranë pacientëve.

Por ai thekson se kjo situatë ka ndryshuar prej vitesh.

Allajbeu: Koncesioni është shitur prej më shumë se 8 vitesh

Sipas Allajbeut, koncesioni i hemodializës është shitur prej më shumë se tetë vitesh dhe tashmë është nën pronësinë dhe menaxhimin e Diaverum, kompani suedeze dhe një prej operatorëve më të mëdhenj europianë në fushën e hemodializës.

Ai mohon kategorikisht se pas shitjes ka pasur ndonjë rol në administrimin apo menaxhimin e koncesionit.

“Që nga momenti i shitjes, unë personalisht dhe asnjë kompani e lidhur me mua nuk kemi pasur dhe nuk kemi asnjë pronësi, interes ekonomik, rol administrativ apo përfshirje në menaxhimin e këtij koncesioni”, shprehet Allajbeu.

Ai ka mohuar gjithashtu çdo interes në procedurën e re të parashikuar për shërbimin e hemodializës.

“Nuk synojmë të marrim pjesë në asnjë procedurë”

Për tenderin e ri të shpallur për ofrimin e shërbimit në pesë spitale publike, Allajbeu thotë se as ai dhe as kompanitë e lidhura me të nuk kanë ndërmend të marrin pjesë.

Sipas tij, procedura e re tashmë është nën përgjegjësinë e Operatorit të Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit dhe nuk përbën një mundësi biznesi për të apo për kompanitë me të cilat është i lidhur.

“Për rrjedhojë, çdo aludim se tenderi i ardhshëm mund të ketë si përfitues mua, Spitalin Amerikan apo kompani të lidhura me mua, nuk qëndron”, deklaron ai.

Ky është një nga sqarimet kryesore të reagimit të tij, në një kohë kur tenderi i ri prej rreth 49 milionë eurosh ka shkaktuar debat politik dhe akuza për mënyrën se si do të organizohet shërbimi pas përfundimit të koncesionit të mëparshëm.

“Debati duhet të zhvillohet mbi dokumente dhe fakte”

Allajbeu nuk kundërshton nevojën për debat mbi mënyrën se si shteti do ta organizojë shërbimin e hemodializës.

Përkundrazi, ai thekson se çështje të tilla si kostot, kriteret e prokurimit dhe transparenca e procedurave janë tema legjitime për diskutim publik.

Por, sipas tij, ky debat duhet të mbështetet në dokumente dhe fakte dhe jo në lidhje të pretenduara me persona apo kompani që, sipas tij, nuk kanë më interes ekonomik apo administrativ në koncesion.

“Është po aq e rëndësishme që në këtë debat të mos krijohen lidhje me persona apo kompani që prej vitesh nuk kanë më asnjë interes ekonomik apo administrativ në koncesion dhe nuk kanë interes për procedurën e re”, shprehet Allajbeu.

Reagimi i tij vjen në një moment kur opozita ka ngritur pikëpyetje mbi tenderin e ri për hemodializën dhe ka kërkuar transparencë për mënyrën se si do të përdoren fondet publike, kriteret e konkurrimit dhe përfituesin e ardhshëm të kontratës.

Në përfundim, Allajbeu e paraqet deklaratën e tij si një sqarim për të ndarë përfshirjen e tij të dikurshme në koncesion nga situata aktuale dhe për të kundërshtuar çdo pretendim se ai, Spitali Amerikan apo kompani të lidhura me të mund të jenë përfitues të procedurës së re.

Reagimi i plotë i Klodian Allajbeut:

Në lidhje me deklaratat e bëra sot për shërbimin e hemodializës dhe përmendjen e emrit tim si një përfitues i mundshëm i procedurave të ardhshme, e konsideroj të nevojshëm një sqarim publik.

Koncesioni i hemodializës, në periudhën kur kam qenë i përfshirë në të, përbën një histori suksesi për mënyrën se si ky shërbim u zgjerua dhe u modernizua në Shqipëri. Investimet në infrastrukturë dhe pajisje, si edhe përgatitja dhe kualifikimi i personelit, bënë të mundur që pacientët ta merrnin këtë shërbim jetik pranë vendbanimeve të tyre dhe sipas standardeve ndërkombëtare.

Por ka një fakt thelbësor që duhet sqaruar.

Prej më shumë se tetë vitesh, koncesioni është shitur dhe ka kaluar në pronësi dhe menaxhim të Diaverum, kompani suedeze dhe operatori me i madh europian në hemodializë.

Që nga momenti i shitjes, unë personalisht dhe asnjë kompani e lidhur me mua nuk kemi pasur dhe nuk kemi asnjë pronësi, interes ekonomik, rol administrativ apo përfshirje në menaxhimin e këtij koncesioni.

Po aq qartë dua të sqaroj edhe çështjen e procedurës së re për shërbimin e hemodializës, e cila është bërë sot objekt debati.

As unë dhe as kompanitë e lidhura me mua nuk kemi interes dhe nuk synojmë të marrim pjesë, tani apo në të ardhmen, në asnjë procedurë konkurrimi për ofrimin e këtij shërbimi, i cili tashmë ka kaluar nën përgjegjësinë e OSHIS.

Për rrjedhojë, çdo aludim se tenderi i ardhshëm mund të ketë si përfitues mua, Spitalin Amerikan apo kompani të lidhura me mua, nuk qëndron.

Debati mbi mënyrën se si shteti do ta organizojë shërbimin e hemodializës, kostot, kriteret e procedurave të prokurimit dhe transparencën e tyre është legjitim dhe duhet të zhvillohet mbi dokumente dhe fakte.

Por është po aq e rëndësishme që në këtë debat të mos krijohen lidhje me persona apo kompani që prej vitesh nuk kanë më asnjë interes ekonomik apo administrativ në koncesion dhe nuk kanë interes për procedurën e re.

Ky sqarim bëhet pikërisht për këtë arsye, për të vendosur faktet në vend dhe për të shmangur çdo keqinterpretim apo spekulim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.