OSHISH ndryshon mëndje, shërbimin e dializës do ta ofrojë shteti
Shërbimi i dializës në spitalet publike merr një kthesë të papritur. Pas anulimit të tenderit me Diaverum, Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore ka vendosur që shërbimin ta kryejë shteti.
Më 12 tetor 2026, OSHISH ka lajmëruar zyrtarisht një procedurë të re prokurimi me një fond limit prej 345,6 milionë lekësh ose 3.75 milionë euro.

Nuk dihet se sa është koha e furnizimit që garanton ky fond për kryerjen e shërbimit, pasi tenderi nuk është shpallur akoma zyrtarisht, por vetëm është lajmëruar në regjistrin e parashikimeve të prokurimeve publike.
Megjithatë ky lajmërim konfirmon një ndryshim thelbësor. Shteti nuk do blejë më paketë të gjithë shërbimin e dializës , por thjesht do të blejë materialet mjekësore dhe setet për procesin e hemodializës, pasi shërbimin do ta kryejë vetë.
Shteti menaxhon, privati vetëm shet mallin
Varanti i parë i OSHISH parashikonte dhënien e shërbimit si paketë e plotë tek suedezët e Diaverum për 4 vite kundrejt një fature prej rreth 50 milionë euro. Kjo skemë tashmë ka rënë.
Tenderi i ri prej 345 milionë lekësh nuk është për të blerë “shërbimin”, por ka si objekt: “Blerje Materialesh mjekësore dhe set për procesin e Hemodializës”. Pra, spitalet shtetërore do ta kryejnë vetë shërbimin me mjekët e tyre, ndërsa privatët thjesht do të furnizojnë me tender filtrat, tubacionet dhe ilaçet e konsumueshme.
Kjo do të thotë se trajtimi mjekësor i pacientëve do të bëhet nën administrimin e plotë të spitaleve shtetërore dhe mjekëve të tyre, ndërsa operatorët privatë do të kenë vetëm rolin e furnizuesit të thjeshtë të materialeve të konsumit.
Prapaskena, lufta për tenderin 50 milionë euro
Kjo kthesë e fortë vjen pas një përplasjeje të bujshme institucionale që ndodhi në fund të muajit shtator. Më 1 shtator 2026, ish-drejtoresha e OSHISH-it, Arisa Cane, zhvilloi një tender masiv prej 50 milionë eurosh për të tregtuar shërbimin dhe shpalli fitues gjigantin suedez Diaverum (kompania e tretë më e madhe në botë për dializën).
Mirëpo, sapo Cane hodhi firmën për fituesin, ministrja e sapoemëruar e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, mori një vendim drastik duke e shkarkuar menjëherë drejtoreshën nga detyra.
Pas një auditimi urgjent, më 25 shtator, OSHISH njoftoi zyrtarisht anulimin e tenderit 50-milionësh me arsyetimin se dokumentet përmbanin “gabime të rëndësishme” dhe se “nuk kishte pasur asnjë ofertë të përshtatshme”.
Kjo lëvizje u komentua gjerësisht në media si një luftë e brendshme influence për kontrollin e fondeve të shëndetësisë./Kapitali
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



