Ndryshojnë rregullat e udhëtimeve jashtë shtetit për zyrtarët
Rama me 5 yje, stafi me 3 yje
Qeveria shqiptare ka vendosur rregulla të reja për mënyrën se si zyrtarët dhe punonjësit e administratës publike do të udhëtojnë dhe akomodohen gjatë shërbimeve jashtë vendit.
Vendimi, i protokolluar më 4 gusht 2026, zëvendëson rregullat e miratuara në vitin 2011 dhe përcakton jo vetëm kategoritë e hoteleve ku mund të qëndrojë secili funksionar, por edhe shumën e parave që do të përfitohet çdo ditë për ushqim dhe shpenzime të tjera.
Ndryshimet sjellin një ndarje të qartë sipas nivelit të funksionit, duke vendosur një kufi prej pesë yjesh për drejtuesit më të lartë të shtetit dhe deri në tre yje për pjesën tjetër të administratës.
Kush lejohet të qëndrojë në hotele me 5, 4 dhe 3 yje?
Sipas rregullave të reja, standardi i akomodimit përcaktohet në varësi të postit që mban zyrtari.
Presidenti i Republikës, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, Zëvendëskryeministri dhe ministrat mund të akomodohen në hotele deri në 5 yje.
Për Zëvendësministrat, deputetët, Sekretarët e Përgjithshëm dhe Drejtorët e Përgjithshëm, kufiri përcaktohet në 4 yje.
Ndërkohë, nëpunësit dhe punonjësit e tjerë të administratës publike mund të qëndrojnë në hotele deri në 3 yje.
Një përjashtim parashikohet për efektivët e Gardës së Republikës. Ata mund të akomodohen në të njëjtin hotel me personalitetin që kanë në ruajtje, pavarësisht kategorisë së hotelit.
Rregullorja lejon gjithashtu që një zyrtar të qëndrojë në një hotel të një kategorie më të lartë kur, gjatë procedurës së tenderimit ose ofertimit, rezulton se çmimi është më i ulët ose i barabartë me atë të akomodimit të kategorisë së përcaktuar për të.
Sa janë dietat ditore për zyrtarët?
Rregullat e reja përcaktojnë edhe kufijtë financiarë për shpenzimet ditore të ushqimit gjatë qëndrimit jashtë vendit.
Shuma ndryshon në varësi të funksionit që mban zyrtari dhe grupit ku klasifikohet shteti ku kryhet shërbimi.
- Presidenti, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit: 120–150 euro në ditë.
- Ministrat dhe Zëvendëskryeministri: 80–120 euro në ditë.
- Deputetët, Zëvendësministrat dhe Sekretarët e Përgjithshëm: 70–80 euro në ditë.
- Drejtorët e Përgjithshëm dhe ambasadorët: 50–60 euro në ditë.
- Nëpunësit dhe punonjësit e tjerë: 45–55 euro në ditë.
Për personat që marrin pjesë në trajnime afatshkurtra, me kohëzgjatje deri në një muaj, parashikohet një përfitim fiks prej 40 eurosh në ditë, në rastet kur shpenzimet nuk mbulohen nga pala pritëse.
Si do të paguhen udhëtimet dhe shpenzimet?
Një tjetër ndryshim lidhet me mënyrën e administrimit të shpenzimeve. Biletat e udhëtimit dhe akomodimi në hotel do të rezervohen dhe paguhen drejtpërdrejt nga institucioni përkatës.
Nëpunësi nuk do të marrë paraprakisht shumën për hotelin dhe transportin. Në llogarinë bankare do t’i kalojë si paradhënie vetëm pjesa që lidhet me shpenzimet ditore.
Pas përfundimit të udhëtimit dhe kthimit në Shqipëri, bëhet përllogaritja përfundimtare e shpenzimeve, e cila duhet të shoqërohet me dokumentacionin dhe faturat përkatëse.
Çfarë shpenzimesh të tjera mbulon shteti?
Rregullorja e re zgjeron edhe listën e shpenzimeve që mund të përballohen nga buxheti i shtetit gjatë udhëtimeve zyrtare jashtë vendit.
Në këtë kategori përfshihen tarifat e autostradave dhe pagesat rrugore, transporti urban ndërmjet banesës ose institucionit dhe aeroportit, sigurimi shëndetësor, si edhe kostot për pajisjen me vizë.
Parashikohet mbulim edhe në raste të veçanta kur një udhëtim anulohet ose ndërpritet për arsye madhore. Sëmundja, fatkeqësitë apo anulimi i aktivitetit nga organizatori janë disa prej situatave ku shpenzimet mund të përballohen nga buxheti i shtetit.
Vendimi i ri synon të unifikojë mënyrën e trajtimit të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, duke përcaktuar në mënyrë më të detajuar kufijtë e akomodimit, dietat dhe shpenzimet që mbulohen për çdo kategori zyrtarësh.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




