Shqipëria kthehet në “kantier”: Ndërtimi zë 12.6% të ekonomisë, 2.5 herë mbi mesataren e BE-së
Shqipëria vijon të kryesojë Europën për peshën që zë sektori i ndërtimit në ekonomi. Të dhënat e Eurostat për vitin 2025 tregojnë se ndërtimi përbënte 12.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian ishte vetëm 5%.
Kjo do të thotë se pesha e ndërtimit në ekonominë shqiptare është rreth 2.5 herë më e lartë se mesatarja europiane, duke e renditur vendin në krye të listës së vendeve europiane.
Pas Shqipërisë renditet Rumania me 8.6% të PBB-së, ndërsa Kosova zë vendin e tretë me 7.8%. Në Maqedoninë e Veriut ndërtimi përbënte 6.6% të ekonomisë, në Bosnje-Hercegovinë 4.8%, në Serbi 4.6% dhe në Malin e Zi vetëm 3.8%.
Edhe krahasimi me ekonomitë e mëdha europiane nxjerr në pah diferencën. Në Itali ndërtimi përbënte 5.1% të PBB-së, në Francë 5%, ndërsa në Gjermani vetëm 4.5%. Në Greqi pesha ishte edhe më e ulët, në 2.1%.
Shifrat pasqyrojnë një ekonomi shqiptare ku ndërtimi ka marrë një peshë jashtëzakonisht të madhe, i nxitur nga ndërtimet rezidenciale, projektet infrastrukturore dhe investimet turistike, veçanërisht përgjatë bregdetit.
Por dominimi i sektorit të ndërtimit shoqërohet me një tjetër realitet ekonomik. Ndërsa ndërtimi zgjerohet, sektorë të tjerë të rëndësishëm të ekonomisë po përballen me vështirësi. Në vitin 2025, bujqësia u tkurr me rreth 2%, ndërsa industria me 1.6%.
Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme së bashku kontribuan në rreth një të katërtën e rritjes ekonomike, ndërsa pesha e tyre në punësim mbetet dukshëm më e ulët.
Kështu, statistikat europiane evidentojnë një kontrast të fortë: Shqipëria po ndërton më shumë se çdo vend tjetër në raport me madhësinë e ekonomisë, ndërsa sektorët që mbajnë një pjesë të madhe të punësimit dhe aktivitetit ekonomik po përballen me tkurrje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



