Zjarret nuk ndalen, 5 vatra ende aktive në Shqipëri – Dajti mbetet zona më problematike
Shqipëria vijon të përballet me vatra zjarri në disa zona të vendit, ndërsa situata më problematike raportohet në malin e Dajtit.
Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 31 vatra zjarri në të gjithë territorin. Pesë prej tyre vijojnë të jenë aktive, ndërsa pesë të tjera janë nën mbikëqyrjen e strukturave operacionale.
Në terren janë angazhuar 319 forca operacionale dhe 24 automjete zjarrfikëse. Në operacione marrin pjesë edhe 80 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa në mbështetje janë vënë dy helikopterë të Forcës Ajrore.
Dajti mbetet pika më kritike.
Zjarri vijon aktiv në drejtim të Qafë-Priskës, përballë Farkës. Për shuarjen e flakëve po punojnë 15 forca zjarrfikëse, 9 efektivë të AdZM-së dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura. Autoritetet thonë se aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në qarkun Dibër, vatra aktive raportohen në Vajkal, Lundre dhe Ballenjë. Zjarri në Sllatinë është izoluar dhe mbahet nën monitorim. Në zonën Vajkal janë angazhuar 38 forca të MZSH-së dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa në Lundre pritet ndërhyrja e 20 efektivëve të FA-së.
Dy vatra të tjera vijojnë aktive në brezin Bershi–Kurdari–Patinë, në bashkinë Klos, në një sipërfaqe prej rreth 4 hektarësh. Edhe në këto zona, sipas autoriteteve, nuk raportohet rrezik për banesat.
Në qarkun e Korçës, situata në Qafën e Lugut, Vithkuq, është nën kontroll dhe zona po monitorohet. Ndërkohë, në Elbasan, vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit vijojnë të jenë nën mbikëqyrje.
Në Durrës, zjarri në fshatin Zallë të Fushë-Krujës është shuar plotësisht pas ndërhyrjes së strukturave vendore dhe 30 efektivëve të Forcave të Armatosura.
Autoritetet raportojnë se vatra të tjera të evidentuara gjatë 24 orëve të fundit në Tiranë, Durrës, Berat, Shkodër, Gjirokastër, Lezhë, Vlorë dhe Korçë janë shuar ose nuk paraqesin më rrezik, ndërsa monitorimi i zonave vijon.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



