E martë, 27 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Buxhetimi gjinor mbetet në letër, qeveria pa prova se fondet po ulin pabarazitë
Lajme

Buxhetimi gjinor mbetet në letër, qeveria pa prova se fondet po ulin pabarazitë

Shqipëria e ka përfshirë prej vitesh perspektivën gjinore në planifikimin e financave publike, por në praktikë mbetet e paqartë se çfarë ndryshimi real kanë sjellë fondet e alokuara.

Problemi kryesor lidhet me mungesën e treguesve të matshëm që mund të tregojnë se ku shkojnë paratë, kush përfiton prej tyre dhe nëse shpenzimet publike kanë ndikuar realisht në reduktimin e pabarazive mes grave dhe burrave.

Aktualisht, 81 programe buxhetore përmbajnë elementë të perspektivës gjinore. Por vetëm klasifikimi i programeve nuk mjafton për të kuptuar efektin e tyre. Ekspertët kërkojnë që vëmendja të zhvendoset nga shuma e parave të shpenzuara te rezultatet konkrete që ato prodhojnë.

Ekspertja e barazisë gjinore, Monika Kocaqi, argumenton se buxhetimi i përgjigjshëm gjinor duhet të përgjigjet jo vetëm ndaj pyetjes se sa para janë shpenzuar, por edhe se kush ka përfituar, kush mund të jetë lënë jashtë dhe çfarë ndryshimi ka prodhuar financimi.

Sipas saj, buxhetimi gjinor nuk duhet të trajtohet si një fond i veçantë për gratë dhe vajzat dhe as si një mekanizëm që nënkupton automatikisht rritje të shpenzimeve për to. Ai duhet të përfshijë analizën e nevojave dhe pabarazive, përcaktimin e objektivave dhe më pas matjen e rezultateve.

Edhe ekspertja e menaxhimit të financave publike dhe barazisë gjinore, Blerina Xhani, vlerëson se identifikimi i nevojave të ndryshme të grave dhe burrave është thelbësor për një përdorim më efikas të fondeve publike.

Por kritikat më të forta lidhen me mënyrën se si zbatohet kjo politikë në praktikë.

Adena Vangjeli, drejtore ekzekutive e Qendrës për Drejtësi Gjinore në Shqipëri, ngre shqetësimin se buxhetimi gjinor rrezikon të mbetet një detyrim formal, pa mekanizma të qartë për të matur rezultatet.

Sipas saj, fakti që përfituesit e një programi janë gra nuk mjafton për ta konsideruar atë shpenzim si të përgjigjshëm gjinor. Ajo që duhet të matet është nëse financimi ka sjellë ndryshimin e synuar dhe nëse ka ndihmuar realisht në reduktimin e një pabarazie.

Në këtë situatë, Shqipëria përballet me një paradoks: buxhetimi gjinor ekziston në dokumente dhe programe publike, por mungojnë të dhënat e mjaftueshme për të treguar efektin konkret të tij.

Pra, ndërsa fondet planifikohen dhe programet klasifikohen si të lidhura me barazinë gjinore, mbetet ende pa një përgjigje të qartë pyetja më e rëndësishme: a po ndryshon realisht jeta e grave dhe burrave nga paratë që shpenzohen në emër të barazisë gjinore?

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.