Shqipëria po zbrazet: vetëm 6 bashki kanë ende profil qyteti, pjesa tjetër drejt ruralizimit
Shqipëria po përballet me një transformim të thellë demografik dhe territorial, ku popullsia po përqendrohet gjithnjë e më shumë në pak qendra të mëdha, ndërsa pjesa tjetër e vendit po humbet banorë dhe funksione urbane.
Të dhënat e analizës demografike mbi të cilën mbështetet propozimi për një reformë të re administrativo-territoriale tregojnë një realitet shqetësues: nga 61 bashki të analizuara, vetëm 6 mund të klasifikohen si qytete sipas kritereve të përdorura, 13 si qyteza ose zona periferike, ndërsa 42 klasifikohen si rurale.
Edhe më domethënës është fakti se 25 bashki nuk kanë asnjë vendbanim që plotëson kriteret për t’u konsideruar qytezë. Në praktikë, kjo tregon për tkurrjen e qendrave urbane dhe për një përqendrim të fortë të popullsisë në vetëm disa zona të vendit.
Kamza rezulton bashkia më e urbanizuar, ku rreth 99% e popullsisë jeton në vendbanime të klasifikuara si urbane. Pas saj renditet Tirana me 93.2%, ndërsa Durrësi me 84.5%.
Në krahun tjetër qëndrojnë dhjetëra bashki ku popullsia është e shpërndarë në zona të vogla dhe rurale, ndërsa shumë prej tyre po përballen njëkohësisht me emigracionin, plakjen e popullsisë dhe mungesën e aktivitetit ekonomik.
Sipas analizës, mesatarisht 57% e territorit të bashkive rezulton i pabanuar. Në nivel kombëtar, koeficienti Gini për shpërndarjen e popullsisë arrin në 0.86, duke dëshmuar përqendrimin ekstrem të banorëve në pak zona dhe boshatisjen e pjesës tjetër të territorit.
Fenomeni është veçanërisht i theksuar në bashki si Kolonja dhe Korça, ndërsa Kamza paraqet një situatë krejt tjetër, me një territor shumë më të banuar.
Problemi nuk lidhet vetëm me numrin e banorëve. Analiza merr në konsideratë edhe dendësinë e popullsisë, mënyrën e shpërndarjes së saj, raportin e varësisë demografike dhe nivelin e urbanizimit.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një plakje të fortë të popullsisë. Në 51 bashki, raporti i varësisë është mbi mesataren kombëtare, ndërsa në shumë prej tyre numri i të moshuarve ka kaluar atë të fëmijëve.
Kjo tablo demografike është një nga argumentet kryesore të përdorura nga mazhoranca për të mbështetur një hartë të re administrativo-territoriale me 46 bashki.
Sipas propozimit, 15 bashki, mes tyre Fushë-Arrëzi, Klosi, Rrogozhina, Dimali, Poliçani, Patosi, Divjaka, Selenica, Maliqi, Këlcyra, Memaliaj, Libohova, Cërriku, Belshi dhe Prrenjasi, do të humbnin statusin e njësive të pavarura të vetëqeverisjes vendore dhe do t’u bashkoheshin bashkive më të mëdha fqinje.
Por reforma administrative ngre një tjetër pikëpyetje: a mund të zgjidhet boshatisja e territorit vetëm duke ndryshuar kufijtë e bashkive?
Vetë analiza pranon se problemet lidhen me emigracionin, plakjen e popullsisë, përqendrimin ekonomik dhe pabarazitë territoriale. Ndryshimi i hartës administrative, pa politika konkrete për punësimin, zhvillimin ekonomik dhe rikthimin e popullsisë në zonat e braktisura, rrezikon të jetë vetëm një riorganizim në letër.
Ndërkohë, banorët e disa prej bashkive që parashikohet të shkrihen kanë protestuar kundër reformës, duke paralajmëruar se largimi i strukturave vendore mund t’i distancojë edhe më shumë nga shërbimet publike.
Shqipëria po përballet kështu me një paradoks të fortë: ndërsa disa qendra urbane vazhdojnë të zgjerohen dhe të tërheqin popullsinë, pjesa më e madhe e territorit po humbet banorë. Nëse ky trend vazhdon, problemi nuk do të jetë më thjesht administrativ, por rrezikon të kthehet në një krizë të thellë të organizimit dhe zhvillimit të vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



