Klodiana Spahiu bëhet “timonierja” e re e Shëndetësisë shqiptare
Klodiana Spahiu është emëruar ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, duke marrë drejtimin e dikasterit pas dorëheqjes së Evis Salës.
Vendimi për emërimin e Spahiut është marrë sot, më 3 shtator, gjatë mbledhjes së zhvilluar nga kryeministri Edi Ramame ministrat.
Spahiu, deputete e Partisë Socialiste për qarkun e Durrësit, ushtron aktualisht edhe detyrën e nënkryetares së Kuvendit të Shqipërisë.
Kryeministria njoftoi se Spahiu është propozuar nga Edi Rama për postin e ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, me synimin për të vijuar politikat për një shëndetësi më të aksesueshme dhe forcimin e mirëqenies sociale.
Emërimi i saj vjen vetëm një ditë pasi u bë publik largimi i Evis Salës, e cila drejtoi Ministrinë e Shëndetësisë për gati një vit.
Sala ia kishte komunikuar vendimin për t’u larguar kryeministrit Rama dy ditë më parë, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Një ditë më pas, ajo mori pjesë për herë të fundit në mbledhjen e qeverisë në cilësinë e ministres.
Pas publikimit të lajmit, Evis Sala konfirmoi dorëheqjen dhe sqaroi se vendimi lidhej me angazhimet e saj ndërkombëtare në fushën e kërkimit shkencor. Në reagimin e saj, ajo falënderoi kryeministrin Edi Rama për mbështetjen që i kishte dhënë gjatë periudhës së drejtimit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Kush është Klodiana Spahiu
Klodiana Spahiu ka lindur më 22 maj 1973 në Durrës. Studimet e larta i ka përfunduar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, në degën Mjekësi e Përgjithshme, në vitin 1997.
Një vit më pas, në periudhën 1998-2002, ajo është specializuar në Kardiologji pranë QSUT-së “Nënë Tereza”, në Tiranë.
Gjatë karrierës profesionale, Spahiu ka kryer disa specializime në fushën e kardiologjisë joinvazive. Në këtë kuadër, ajo është trajnuar në ekokardiografi, PU-EKG dhe Eko-Doppler të karotideve pranë Universitetit Katolik “Sacro Cuore”, Fakulteti i Mjekësisë dhe Kirurgjisë “Agostino Gemelli”, në Romë.
Në vitet 2003-2004, ajo ka vijuar studimet pasuniversitare pranë Fakultetit të Mjekësisë, ndërsa në vitin 2005 ka kryer specializim në Kardiologjinë Invazive, kateterizimin dhe koronarografinë e zemrës në Spitalin “Santa Chiara”, në Pisa të Italisë.
Më tej, në periudhën 2012-2014, Spahiu ka përfunduar masterin profesional në Menaxhim Shëndetësor.
Karrierën mjekësore e ka ushtruar në Klinikën e Parë të Kardiologjisë në QSUT, ndërsa nga viti 2003 deri në vitin 2009 ka punuar si mjeke kardiologe dhe në repartin e patologjisë në Spitalin e Durrësit. Më pas, ajo është emëruar drejtore e këtij spitali.
Përvoja akademike dhe politike
Krahas aktivitetit në sistemin shëndetësor, Spahiu ka pasur edhe një angazhim të hershëm në fushën akademike.
Gjatë viteve 2002-2003, ajo ka qenë pedagoge në Departamentin e Lëndëve Paraklinike në Universitetin e Tiranës.
Në vitin 2006 ka punuar si pedagoge e jashtme e fiziologjisë në Universitetin Privat “UFO” në Tiranë.
Prej vitit 2008 e në vazhdim, ajo ka qenë docente në praktikat e kardiologjisë pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë”, në Tiranë.
Spahiu mban gjithashtu titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.
Në politikë, ajo është pjesë e Kuvendit të Shqipërisë prej vitit 2009, kur u zgjodh deputete e Partisë Socialiste.
Gjatë aktivitetit të saj parlamentar, Spahiu ka qenë pjesë e disa komisioneve dhe nënkomisioneve parlamentare. Ajo ka drejtuar ose ka qenë anëtare e grupeve të miqësisë parlamentare dhe ka mbajtur gjithashtu detyrën e nënkryetares së Kuvendit.
Me marrjen e drejtimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu rikthehet kështu në një post ekzekutiv, pas një karriere të gjatë në mjekësi, akademi dhe politikë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



