E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shëndetësia dhe Policia bëjnë bilancin e revoltës studentore
Lajme

Shëndetësia dhe Policia bëjnë bilancin e revoltës studentore

14 policë të plagosur në protestën në Tiranë, 35 persona të shoqëruar

Bilanci i përplasjeve gjatë protestës në kryeqytet është rënduar, me disa efektivë të Policisë së Shtetit që kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të dëmtimeve të marra gjatë incidenteve.

Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka shkuar në Spitalin Universitar të Traumës, ku ka ndjekur nga afër situatën e të lënduarve. Sipas saj, brenda vetëm 30 minutash në urgjencë janë paraqitur gjashtë efektivë të tjerë, duke e çuar në nëntë numrin e përgjithshëm të punonjësve të policisë që po merrnin trajtim mjekësor në atë moment.

Mes tyre, një efektiv 31-vjeçar, i identifikuar me inicialet L. D., ka pësuar dëmtime serioze në sy, si dhe fraktura të rënda në nofull dhe hundë.

Ministrja ka dënuar sulmet ndaj punonjësve të policisë, duke i cilësuar ato si veprime që rrezikojnë drejtpërdrejt shëndetin dhe sigurinë e efektivëve. Ajo ka shprehur gjithashtu mirënjohje për mjekët, infermierët dhe personelin tjetër shëndetësor që po trajton të plagosurit.

Policia: 14 efektivë të plagosur dhe 35 persona të shoqëruar

Ndërkohë, në një njoftim të mëvonshëm, Policia e Shtetit ka raportuar se numri i punonjësve të plagosur gjatë protestës ka shkuar në 14. Autoritetet kanë bërë të ditur gjithashtu se 35 persona janë shoqëruar deri në momentin e publikimit të njoftimit.

Policia bën thirrje për distancim

Sipas policisë, incidentet kanë vijuar për disa orë, duke përfshirë sulme ndaj efektivëve dhe dëmtime të pronës publike e private. Për këtë arsye, uniformat blu u kanë bërë thirrje protestuesve të distancohen nga personat e përfshirë në akte dhune dhe të mos lejojnë që tubimi të shndërrohet në përplasje të mëtejshme.

Autoritetet kanë theksuar se e drejta për të protestuar është e garantuar me ligj, por nuk përfshin të drejtën për të sulmuar punonjësit e policisë apo për të shkatërruar pronën.

Vijon identifikimi i personave të dyshuar

Policia ka bërë të ditur se po vijon punën për identifikimin dhe shoqërimin e personave që dyshohet se kanë marrë pjesë në incidentet e dhunshme, përfshirë ata që kanë qenë të maskuar gjatë protestës.

Paralajmërim për procedura ligjore

Në reagimin e saj, ajo ka paralajmëruar se personat përgjegjës për veprime të paligjshme do të përballen me procedurat përkatëse ligjore.

Zhvillimet vijnë në një ditë të tensionuar në Tiranë, ku protesta studentore është shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit, si dhe me incidente në disa zona të kryeqytetit. Ndërsa bilanci i të plagosurve është përditësuar nga autoritetet, situata vijon të ndiqet nga strukturat policore dhe shërbimet mjekësore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.