E premte, 23 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kim Mehmeti: Qeveria është kthyer si ‘shkollë’ për hajdutët!
Lajme

Kim Mehmeti: Qeveria është kthyer si ‘shkollë’ për hajdutët!

“Në të vërtetë, komunizmi s’ka rënë! Sundon mendësia enveriste”

Shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti ka komentuar zhvillimet politike në Shqipëri, protestën qytetare në Tiranë, e cila sot shënon ditën e 100-të, si dhe përgjegjësinë e qeverisë për situatën në vend.

Në një intervistë për emisionin “Minuta e parë” në News24, Mehmeti ka drejtuar kritika të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke vënë në pikëpyetje faktin që pjesëtarë të kabinetit qeveritar përballen me drejtësinë, ndërsa kreu i qeverisë, sipas tij, nuk pranon të mbajë përgjegjësi politike.

Publicisti e cilësoi si të palogjikshme që një kryeministër të distancohet nga përgjegjësia kur persona të zgjedhur prej tij akuzohen për vepra penale. Ai shkoi edhe më tej me ironinë e tij, duke thënë se një qeveri e tillë mund të krijojë përshtypjen e një “shkolle” ku trajnohen hajdutët.

“Një kryeministri i shkon gjysma e qeverisë pas grilave dhe thotë nuk di gjë dhe s’ka përgjegjësi. Është e palogjikshme. Si mundet që të zgjedhurit e tu akuzohen për hajdutëri dhe ti ndihesh komod dhe s’ke asnjë faj. Nëse nuk dini shtetin dhe popullin ta mbroni nga hajdutët, çfarë duhesh si kryeministër? Krijon përshtypjen se ajo qeveri del si një shkollë për të trajnuar hajdutë. Kjo vazhdon kështu 13 vite”, u shpreh Mehmeti.

Kritika edhe ndaj opozitës

Në qëndrimet e tij, Mehmeti nuk kurseu kritikat as ndaj opozitës. Sipas tij, edhe forcat opozitare nuk po kontribuojnë në forcimin e protestës qytetare dhe, në mënyra të ndryshme nga mazhoranca, kanë interes që ajo të mos arrijë objektivat e saj.

Ai argumentoi se nëse opozita do të kishte synim real për ta mbështetur protestën, do të duhej të sillej ndryshe.

“Nëse kjo opozitë do të donte të ndihmonte protestën, nuk duhej të vepronte kështu. Edhe opozita dhe pozita duan të dështojë kjo protestë, por të dyja duan në mënyra të ndryshme”, tha Mehmeti.

“Kjo protestë është investimi më i madh pas komunizmit”

Duke folur për protestën qytetare që ka vijuar prej 100 ditësh në Tiranë, shkrimtari e konsideroi atë si një zhvillim me rëndësi të veçantë për shoqërinë shqiptare.

Mehmeti deklaroi se protesta përfaqëson, sipas tij, investimin më të madh qytetar që i është bërë Shqipërisë që prej rënies së komunizmit. Ai hodhi gjithashtu një tezë të fortë mbi mënyrën se si është qeverisur vendi gjatë dekadave të fundit, duke pretenduar se mendësia politike e periudhës së Enver Hoxhës nuk është zhdukur.

“Ajo e ka arritur suksesin e vet, është investimi më i madh që u bë këtij vendi pas rënies së komunizmit. Në të vërtetë komunizmi nuk ka rënë, tani do të bjerë. Kjo protestë e rrëzoi komunizmin, jo ajo e dhjetorit. Ajo nga shtrati e Enverit dolën enveristët e rinj, por u shpërndanë në disa parti, por mendësia është e njëjtë”, deklaroi ai.

Sipas Mehmetit, gjatë 36 viteve të fundit Shqipëria është qeverisur me një mendësi që ai e lidh me modelin enverist, ku partia dhe shteti shihen si të pandarë.

“Në 36 vite, Shqipëria sundohet me mendësinë enveriste. Shteti është partia dhe partia jam unë. Asnjëri nuk e jep partinë. Më së pari japin Shqipërinë sesa partinë. Para kësaj, këtu kishte vetëm protesta partiake. Zëri i popullit është ai që duhet të protestojë”, u shpreh publicisti.

Mehmeti: Ambiciet politike nuk janë mëkat

Duke folur për rolin e të rinjve në protestë, Mehmeti vlerësoi pjesëmarrjen e tyre dhe e konsideroi daljen e kësaj gjenerate si një shenjë shprese dhe guximi.

Ai theksoi se ambicia personale për të hyrë në politikë nuk duhet të shihet si diçka negative, por paralajmëroi se interesat individuale nuk duhet të vendosen mbi të mirën e përbashkët.

“Partitë mund të bëjnë vetëm mitingje partiake. Doli kjo rini që solli shpresë dhe guxim krejt tjetër dhe nuk mund të mos jem me atë rini. Aty duhet të ketë njerëz që të kenë ambicie personale politike. Nuk është mëkat të kesh ambicie, por mëkat është që shkaku i ambicieve personale të shkatërrosh interesin e përgjithshëm. Për të mirën e Shqipërisë duhet të flijosh diçka tënden”, tha Kim Mehmeti.

Kritika për qeverisjen dhe pasuritë publike

Në vijim të intervistës, Mehmeti ngriti akuza të forta politike ndaj kryeministrit, duke deklaruar se Rama e ka dorëzuar vendin, sipas tij, te ajo që ai e cilësoi si “aleanca e qelbësirave”.

Publicisti argumentoi se kryeministri, përmes deklaratave të tij për gjendjen ekonomike dhe financiare të vendit, ka pranuar në njëfarë mënyre dështimin e qeverisjes.

Sipas Mehmetit, deklarimi i Shqipërisë si një shtet i varfër përdoret për të justifikuar një politikë që, në këndvështrimin e tij, çon drejt shitjes së pasurive kombëtare dhe tjetërsimit të pasurive publike në favor të interesave private.

Ai pretendon se këto interesa private janë bërë pjesë e një sistemi që, sipas tij, mbështet dhe mban në këmbë mënyrën aktuale të funksionimit të pushtetit.

Deklaratat e Kim Mehmetit vijnë në një moment kur protesta qytetare në Tiranë ka hyrë në ditën e 100-të, ndërsa debati politik në vend vijon të përqendrohet te përgjegjësia e qeverisë, roli i opozitës dhe kërkesat e protestuesve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.