Edi Rama zbarkon në Vlorë për një tjetër konflikt pronësie
Kryeministri Edi Rama ka qenë këtë pasdite në Vlorë, ku ka zhvilluar një vizitë në disa prej zonave të qytetit. Ai është shfaqur në bulevardin kryesor të Vlorës, ku është pritur nga kryetarja e Bashkisë, Brunilda Mersini.
Gjatë qëndrimit në qytetin bregdetar, Rama ka parë nga afër edhe territorin e ish-Parkut Aulona, një pronë private që prej vitesh funksionon si park lojërash për fëmijë.
Sipas burimeve, prona pritet të bëhet pjesë e një procesi shpronësimi nga shteti, me qëllim ndryshimin e destinacionit të saj. Bëhet fjalë për një sipërfaqe që prej kohësh është përfshirë në një konflikt pronësie dhe që synohet të transformohet në një hapësirë të gjelbër për qytetarët e Vlorës.
Ish-Parku Aulona, i njohur prej vitesh nga banorët e qytetit si një hapësirë argëtimi, pritet që në vijim të marrë një tjetër funksion urban, duke u kthyer në lulishte dhe zonë të gjelbëruar.
Rama ndërhyri edhe më herët në një konflikt pronësie
Vizita e kryeministrit në këtë zonë vjen vetëm pak ditë pasi ai u përfshi edhe në një tjetër konflikt pronësie në Vlorë.
Në atë rast, bëhej fjalë për një përplasje mes dy biznesmenëve të njohur, e cila përshkallëzoi deri në pikën kur situata rrezikoi të kalonte në përdorimin e armëve.
Edhe atëherë, Rama deklaroi se prona do të merrej nga shteti dhe do t’i jepej një tjetër funksion në interes të qytetit.
Kryeministri është shprehur se prona do të kthehet në një hapësirë të gjelbër, duke përmendur konkretisht krijimin e një ullishteje.
Ndërkohë, vizita e sotme në Vlorë dhe ndalesa në territorin e ish-Parkut Aulona lidhen me planin për transformimin e kësaj prone dhe kthimin e saj në një hapësirë publike të gjelbër për qytetin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



