Rama sulmon Demokratët Evropianë: Lëreni Shqipërinë të qetë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas tensioneve dhe përplasjeve të regjistruara një ditë më parë gjatë protestës përpara Parlamentit, duke iu përgjigjur kritikave të ardhura nga Demokratët Evropianë lidhur me situatën në Shqipëri.
Përmes një reagimi të gjatë, Rama ka ironizuar qëndrimin e tyre ndaj protestës, duke kundërshtuar mënyrën se si është përshkruar pengimi i deputetëve për të hyrë në Parlament.
“Pra, për llojin tuaj të veçantë të demokratëve dembelë, pengimi i deputetëve që të hyjnë në seancën hapëse të Parlamentit quhet ‘kundërshtim’?”, shkruan Rama.
Kryeministri pretendon se ajo që ndodhi përpara Parlamentit nuk mund të konsiderohet thjesht si një formë e protestës apo kundërshtimit politik. Sipas tij, deputetët shqiptarë, si nga e djathta ashtu edhe nga e majta, u përballën me sharje dhe dhunë fizike ndërsa përpiqeshin të hynin në ambientet e Parlamentit.
“Jo për kolegët tuaj shqiptarë, nga e djathta në të majtë, të cilët u detyruan të kalonin mes një korridori sharjesh dhe dhune fizike, me vezë e madje edhe gurë të hedhur ndaj tyre, vetëm që të arrinin në vendin e tyre të punës”, shprehet ai.
Rama e ka cilësuar si të papranueshme mbështetjen ndaj një sjelljeje të tillë, duke e akuzuar palën që ka reaguar për standarde të dyfishta në raport me demokracinë.
“A nuk ju vjen turp të mbështesni një sjellje kaq të neveritshme dhe ta shisni atë si kundërshtim demokratik? Me sa duket, jo”, vijon reagimi i kryeministrit.
Në reagimin e tij, Rama është ndalur edhe te një prej deputeteve që, sipas tij, u përball me fyerje dhe keqtrajtim gjatë përpjekjes për të hyrë në Parlament. Ai e përshkruan atë si një akademike të respektuar dhe mbrojtëse të të drejtave të grave.
“Shikoni se si një deputete e nderuar, një akademike e respektuar dhe një mbrojtëse gjerësisht e njohur e të drejtave të grave, fyhet dhe keqtrajtohet nga modelet tuaja të ‘kundërshtimit’, teksa thjesht përpiqet të arrijë në vendin e saj të punës”, shkruan Rama.
Kryeministri ka vijuar me tone edhe më të ashpra, duke kërkuar që Demokratët Evropianë të japin një qëndrim edhe për episodet e dhunshme të ndodhura gjatë protestës.
“Keni ndonjë gjë për të thënë për këtë formë të veçantë të ‘kundërshtimit’, nga piedestali juaj i lartë demokratik? Apo shqetësimi juaj për demokracinë përfundon aty ku fillojnë faktet e pakëndshme?”, pyet Rama.
Në fund të reagimit, kryeministri u është drejtuar drejtpërdrejt kritikëve duke u kërkuar të mos e përfshijnë Shqipërinë në atë që ai e cilëson si një debat të ndërtuar mbi interpretime politike.
“Dhe ju lutem, lëreni Shqipërinë të qetë dhe mos e përfshini në këtë histori”, shkruan Rama, duke shtuar se Shqipëria është “një vend realisht i lirë dhe shumë më demokratik sesa politika juaj mendjengushtë”.
Rama e mbyll reagimin me një tjetër sulm ndaj kritikëve, duke i akuzuar se i zëvendësojnë faktet me angazhimin politik dhe se po e përdorin Shqipërinë në funksion të një narrative politike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



