Nga Beogradi në Tiranë, një mësim që nuk mund të shpërfillet!
Sot, studentët në Serbi dëshmuan se edhe pushtetet që duken të pathyeshme mund të rrëzohen. Pas gati dy vitesh protestash, Vuçiç pranoi humbjen përballë një brezi që refuzoi të dorëzohej.
Në Serbi gjithçka nisi me 16 të vdekur nën strehën e stacionit të Novi Sadit. Në Shqipëri nisi me një brez që nuk duroi më arsimin e shkatërruar, pagat e mjera dhe ikjen masive. Në Beograd, pushteti i quajti studentët “të paguar nga jashtë”. Në Tiranë i quajti “huliganë” dhe “të manipuluar”. Gjuha e pushtetit është e njëjtë kudo.
Ndërsa Beogradi feston fitoren e studentëve, Tirana ende përballet me gaz lotsjellës, dhunë policore dhe të rinj që rrezikojnë shëndetin e jetën për të kërkuar një të ardhme tjetër. Në Serbi, studentët e mbyllën sot kapitullin me 52% të votave. Në Shqipëri, në të njëjtën javë, një djalë 28-vjeçar mbeti me një plumb gome në sy, ndërsa policëve u premtohen 2500 euro shpërblim për “dajak” në shesh dhe rrygica.
Vuçiç sundoi 14 vjet. Rama sundon prej 13 vitesh. Të dy ndërtuan sisteme ku partia u bë shtet, ku media u bë megafon dhe ku institucionet u bënë zyra të pushtetit. Të dy besuan se protestat do të shuheshin me kohën, me frikën dhe me lodhjen. Në Beograd kjo llogari dështoi.
Mesazhi për Shqipërinë është i jashtëzakonshëm: rinia mund të zgjojë një shoqëri të tërë, por shoqëria duhet të ketë guximin të ngrihet përkrah saj.
Në Serbi, pas studentëve u rreshtuan prindërit, mësuesit, mjekët, fermerët dhe pensionistët. Në krye të listës së tyre nuk ishte një politikan i vjetër, por një kardiolog nga Novi Sadi. Në Shqipëri, të rinjtë janë ende shumë vetëm në shesh, ndërsa pjesa tjetër e shoqërisë i sheh nga ekrani dhe heziton.
Asnjë pushtet nuk është i përjetshëm. Asnjë karrige nuk është fron. Dhe asnjë popull nuk është i dënuar të durojë pafundësisht.
Sot, Beogradi na kujtoi se ndryshimi është i mundur. Nesër i takon Tiranës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



