Sot 110 ditë protestë, qytetarët zhvendosin aksionin para Kuvendit
Protesta e qytetarëve kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama hyn sot në ditën e 110-të, me një ndryshim në skenarin e aksionit. Pas tubimeve të njëpasnjëshme në Tiranë dhe marshimeve drejt Kryeministrisë, protestuesit kanë paralajmëruar sot grumbullimin para Kuvendit, në një kohë kur pritet të zhvillohet seanca plenare.
Tubimi është planifikuar të nisë në orën 10:00 përpara Parlamentit. Thirrja për pjesëmarrje është bërë gjatë protestës së 109-të, të zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës.
Aktivisti Arben Kola u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen tubimit, duke njoftuar se protesta do të zhvillohet në orarin e seancës plenare.
“Do të jemi të gjithë të enjten në orën 10:00 te Parlamenti”, ishte mesazhi i përcjellë gjatë protestës së mbrëmshme.
Prej 110 ditësh, grupime qytetarësh dhe aktivistësh janë mbledhur në kryeqytet duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e qeverisjes. Gjatë kësaj periudhe, protestat janë shoqëruar me marshime në disa prej akseve kryesore të Tiranës dhe ndalesa pranë institucioneve publike.
Nga sheshi “Skënderbej” te Kryeministria
Tubimi i 109-të nisi në sheshin “Skënderbej”, nga ku protestuesit marshuan në drejtim të Kryeministrisë. Përpara godinës së qeverisë u përsëritën kërkesat për largimin e Ramës, ndërsa protestuesit përdorën pankarta me mesazhe kritike ndaj qeverisë.
Gjatë mbrëmjes folën qytetarë dhe aktivistë të ndryshëm, të cilët kërkuan vijimin e aksionit protestues.
Profesori Lush Susaj bëri thirrje që protestat të vijojnë në mënyrë paqësore, duke e lidhur qëndrueshmërinë e tyre me “durimin, rezistencën dhe qëndrueshmërinë”.
Në tubimin e një dite më parë u diskutua gjithashtu për zhvillimet në Hagë dhe vendimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së, çështje për të cilën protestues të ndryshëm shprehën qëndrimet e tyre.
Aksioni zhvendoset para Parlamentit
Në ditët e fundit, protesta nuk është kufizuar vetëm te qëndrimi përpara Kryeministrisë. Protestuesit kanë lëvizur në zona të ndryshme të Tiranës, ndërsa ndër kërkesat e përsëritura ka qenë edhe lirimi i personave të ndaluar gjatë protestave të mëparshme.
Me nisjen e ditës së 110-të, fokusi i aksionit zhvendoset te Kuvendi. Protestuesit kanë paralajmëruar grumbullimin para Parlamentit në orën 10:00, gjatë zhvillimit të seancës plenare.
Më pas, sipas skenarit të paralajmëruar nga organizatorët dhe aktivistët, protesta pritet të vijojë me lëvizje të tjera në kryeqytet, ndërsa mbetet për t’u parë nëse tubimi do t’i rikthehet itinerarit të zakonshëm drejt Kryeministrisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



