E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga ‘gangsteri rus’ te ‘lodrat kineze’, Rama lëshon sinjale provokuese drejt BE
Lajme

Nga ‘gangsteri rus’ te ‘lodrat kineze’, Rama lëshon sinjale provokuese drejt BE

Kryeministri Edi Rama ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj vendeve anëtare të Bashkimit Europian, duke kërkuar që vendimet politike për zgjerimin të mos shtyhen deri në përfundim të të gjitha procedurave teknike.

Gjatë fjalës së tij, Rama argumentoi se vendet kandidate duhet të mbahen pranë Bashkimit Europian, ndërsa vlerësimi për përmbushjen e kritereve dhe meritës të vijojë përgjatë procesit të integrimit.

Për të ilustruar qëndrimin e tij, kryeministri iu referua familjes së presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, duke vënë në dukje se ajo ka shtatë fëmijë, po aq sa numri i vendeve kandidate për anëtarësim në BE.

Rama përdori këtë krahasim për të argumentuar se vendet kandidate nuk duhet të lihen jashtë hapësirës europiane, pasi një distancim i tillë, sipas tij, mund të krijojë terren për shtimin e ndikimit të Rusisë dhe Kinës.

“Çfarë duhet të ndryshojë dhe çfarë mund t’i lehtësojë ata persona që ngurrojnë, është që vendimet politike të mos lihen për momentin e fundit, por të merren tani dhe pastaj, në fund, të lihen proceset në bazë të meritës që çdo vend ka”, deklaroi Rama.

Më tej, kryeministri vijoi me metaforën e familjes së von der Leyen, duke thënë:

“Ka një koincidencë, shtatë fëmijë ka Ursula dhe BE-ja ka shtatë kandidatë. Fëmijët e Ursulës nuk u rritën në lagje, ata u rritën rreth tavolinës. Ajo nuk i tha vajzës: ‘Shko dhe kalo ca kohë me gangsterin rus te cepi, se mami është pak e zënë’. Nuk i tha djalit: ‘Shko e luaj me ca lodra kineze, sepse tavolinën tani e përdorin të rriturit’”.

Në vijim të fjalës, Rama kritikoi qasjen që, sipas tij, i bën vendet kandidate të rëndësishme për Europën vetëm në raste krizash.

Ai përmendi pandemitë, sulmet dhe flukset e emigracionit të paligjshëm si situata kur vendet e rajonit marrin një rëndësi të veçantë për Bashkimin Europian.

“Nuk duhet të kujtojmë se jemi në Europë sa herë ka një sulm apo kur ka ndonjë pandemi dhe gjendemi rreth kësaj tavoline. Apo kur vjen ndonjë valë emigracioni të paligjshëm në Europë; në ato momente nevojitemi edhe ne, sepse rruga e emigracionit kalon nga këtu”, u shpreh kryeministri.

Në përfundim, Rama kërkoi që vendimi politik për zgjerimin të merret pa vonesa, ndërsa proceset e vlerësimit të secilit vend kandidat të vijojnë mbi bazën e meritës dhe përmbushjes së kritereve.

“Shumë e thjeshtë është: hajdeni, bëjeni”, tha Rama.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.