E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Apeli në Kinë i shpëton jetën shqiptarit Klaudio Kanani
Bota

Apeli në Kinë i shpëton jetën shqiptarit Klaudio Kanani

Rrëzhet dënimin me vdekje, mbetet në fuqi ai me 25 vite burg

Një zhvillim i rëndësishëm ka ardhur nga Kina për shqiptarin Klaudio Kanani, i cili ishte dënuar me 25 vite burg dhe përballej me kërkesën e prokurorisë për dënim me vdekje, pasi u shpall fajtor për trafik droge.

Gjykata e Apelit në provincën Guangdong ka rrëzuar kërkesën për dënimin kapital dhe ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, të dhënë në qershor 2025.

Kanani është dënuar me 25 vite burg, pasi u shpall fajtor për trafikimin e rreth një ton droge, e cila dyshohet se ishte nisur nga Hong Kongu drejt Kinës.

Vendimi i Apelit i është komunikuar shqiptarit pak ditë më parë, në qendrën e paraburgimit në Guangzhou, nga një gjykatës.

Ndërkohë, për dy shtetas kinezë të bashkëakuzuar në të njëjtën çështje është vendosur dënimi me vdekje me varje, ndërsa dy të tjerë janë dënuar me pushkatim.

Kanani: Jam mirë me shëndet

Pas vendimit të gjykatës, Klaudio Kanani është shfaqur në një video, ku u ka përcjellë familjarëve një mesazh qetësues.

I riu nga Tepelena deklaron se është mirë me shëndet dhe u kërkon të afërmve të mos shqetësohen për të. Ai pranon se ndodhet në burg, por thotë se nuk ka probleme dhe se gjendja e tij shëndetësore është e mirë.

Tashmë, një nga kërkesat kryesore të Kananit dhe familjes së tij është transferimi në Shqipëri, në mënyrë që pjesën e mbetur të dënimit ta vuajë në një institucion penitenciar shqiptar.

Ndërhyrja e autoriteteve shqiptare

Rasti i Kananit kishte shkaktuar shqetësim të madh për shkak të rrezikut që ai të përballej me dënimin kapital.

Në përpjekjet diplomatike për shmangien e ekzekutimit ishte përfshirë edhe ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili zhvilloi takime me ambasadorin e Kinës në Tiranë për çështjen e shqiptarit.

Në këtë proces ishte përfshirë edhe ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, si dhe ambasadori shqiptar në Kinë, Riza Poda.

Pas vendimit të Apelit, familja e Kananit ka shprehur mirënjohje për ndërhyrjen e shtetit shqiptar dhe tashmë kërkon që të ndërmerret një hap i ri për transferimin e tij.

Familjarët u bëjnë thirrje ministrave Ferit Hoxha dhe Toni Gogu që të avancojnë procedurat për transferimin e Kananit në Shqipëri, duke iu referuar marrëveshjes së reciprocitetit mes dy vendeve.

Rrëzimi i dënimit me vdekje ka shmangur skenarin më të rëndë për shqiptarin, ndërsa tashmë çështja përqendrohet te mundësia që ai të transferohet në Shqipëri për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.