I vetëm në garë, Ilir Panda zgjidhet kryetar i Gjykatës së Lartë
Ilir Panda do të jetë kryetari i ri i Gjykatës së Lartë. Ai është zgjedhur në krye të institucionit nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve, duke marrë mbështetjen unanime të trupës gjyqësore.
Në votimin e zhvilluar sot, Panda mori 14 vota pro dhe asnjë votë kundër, duke u konfirmuar kështu në drejtimin e Gjykatës së Lartë.
Mandati i tij në këtë funksion do të nisë zyrtarisht më 19 tetor 2026.
Ilir Panda është anëtar i Gjykatës së Lartë që prej marsit 2020 dhe aktualisht mban edhe funksionin e zëvendëskryetarit të këtij institucioni. Ai ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, ku ka ushtruar më herët edhe detyrën e ministrit të Drejtësisë, ndërsa ka qenë gjithashtu zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Panda ka kandiduar i vetëm për postin e kryetarit të Gjykatës së Lartë, pas përfundimit të mandatit të Sokol Sadushit, i cili kishte marrë drejtimin e institucionit në tetor 2023.
Me zgjedhjen e tij, Panda do të marrë drejtimin e institucionit më të lartë të gjyqësorit në vend, në një moment të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë shqiptare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



