Adi Hila shkatërroi hard-diskun e kamerës që regjistroi videot +18
Çështja e kompozitorit i kalon prokurorisë
Dosja që lidhet me video-skandalin e kompozitorit Adi Hila ka kaluar në një fazë të re hetimore, pas hedhjes së shortit në Prokurorinë e Tiranës. Çështja do të ndiqet nga prokurori Julian Xhengo.
Sipas informacioneve të bëra publike nga gazetarja Anila Hoxha, në kuadër të hetimit janë regjistruar dy kallëzime të depozituara në polici, të cilat lidhen me publikimin dhe trajtimin e të dhënave të pretenduara si të marra në mënyrë të paligjshme.
Adi Hila ka kallëzuar në polici për hyrje të paautorizuar në sistemet apo pajisjet e tij kompjuterike, duke pretenduar se është hakeruar. Ndërkohë, një kallëzim është bërë edhe nga këngëtarja Eli Fara, e cila ka pretenduar shkelje të privatësisë.
Nga këto kallëzime, hetimi përfshin disa vepra penale që lidhen me teknologjinë dhe të dhënat kompjuterike, mes tyre hyrjen e paautorizuar kompjuterike, përgjimin e paligjshëm të të dhënave kompjuterike dhe keqpërdorimin e pajisjeve kompjuterike.
Në zhvillimet e fundit të çështjes, aktorja Monika Lubonja ka bërë gjithashtu kallëzim penal ndaj Adi Hilës.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka zgjeruar objektin e hetimit edhe me një tjetër vepër penale, atë të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Kjo pjesë e hetimit lidhet me një hard-disk të sekuestruar nga policia gjatë veprimeve paraprake. Sipas të dhënave të bëra publike, kur autoritetet kanë tentuar të kryejnë këqyrjen e pajisjes, është konstatuar se hard-disku ishte dëmtuar.
Për këtë rrethanë, Adi Hila ka deklaruar se dëmtimin e pajisjes e kishte kryer vetë. Sipas deklarimit të tij, vendimi është marrë pasi nuk ishte i sigurt për burimin e ndërhyrjes në pajisjet e tij dhe kishte frikë se mund të kishte tentativa të tjera për akses në distancë dhe marrjen e të dhënave.
Pas përfundimit të procedurës së shortit, dosja i është caktuar prokurorit Julian Xhengo, i cili do të drejtojë hetimet e mëtejshme në Prokurorinë e Tiranës.
Në vijim pritet që prokurori të delegojë pranë strukturave të policisë detyrat konkrete hetimore për mbledhjen e provave, verifikimin e kallëzimeve dhe sqarimin e plotë të rrethanave që lidhen me çështjen.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



