E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Në telashe “sherifi” i Berishës: Trump kërcënon LaCivita-n
Bota

Në telashe “sherifi” i Berishës: Trump kërcënon LaCivita-n

 

Chris LaCivita, strategu amerikan i angazhuar nga Sali Berisha për fushatën e vitit 2025, është vënë në qendër të vëmendjes pas një investigimi të “The New York Times”. Gazeta raportoi se ai dhe James Blair udhëtuan në Republikën Srpska për të këshilluar qeverinë e lidhur me Milorad Dodikun. Trump deklaroi se do t’i largojë nëse konstaton konflikt interesi. 

Investigimi i “The New York Times” zbuloi se LaCivita dhe Blair, ndërsa mbanin role kyçe në operacionin politik të Trumpit për zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, udhëtuan në Ballkan për të këshilluar qeverinë e Republikës Srpska përpara zgjedhjeve të së dielës.

Sipas katër personave në dijeni të udhëtimit, të cituar nga gazeta, dy këshilltarët kaluan disa ditë në Republikën Srpska, entitet me shumicë serbe në Bosnjë-Hercegovinë.

Dy burime të tjera i thanë NYT-së se secili prej tyre mori qindra mijëra dollarë përmes një firme ligjore me seli në Uashington, të angazhuar nga qeveria e Republikës Srpska për këshillim mbi çështjet zgjedhore.

Sipas burimeve, puna ishte formalisht për qeverinë dhe jo për partinë nacionaliste që e kontrollon atë. Megjithatë, “The New York Times” vëren se në praktikë qeveria dhe partia janë pothuajse e njëjta strukturë politike.

Udhëtimi merr peshë të veçantë për shkak të roleve që LaCivita dhe Blair vazhdojnë të mbajnë në SHBA.

LaCivita ishte bashkëdrejtues i fushatës presidenciale të Trumpit në vitin 2024 dhe është këshilltar i lartë i MAGA Inc., super-PAC-ut të mbështetur nga Trumpi, që po përgatit shpenzime të mëdha për kandidatët republikanë. Blair, ish-drejtor politik i fushatës presidenciale, drejton MAGA Inc. pasi u largua nga posti i zëvendësshefit të stafit në Shtëpinë e Bardhë.

Në fund të gushtit, kjo strukturë kishte rreth 415 milionë dollarë në dispozicion për fushatën elektorale.

Kështu, ndërsa Trumpi udhëtonte nëpër SHBA për të ndihmuar republikanët përpara zgjedhjeve të mesmandatit, dy prej këshilltarëve të tij kryesorë politikë ndodheshin në Bosnjë-Hercegovinë për një angazhim tjetër të paguar.

Zëdhënësi i MAGA Inc., Alex Pfeiffer, nuk komentoi udhëtimin në Ballkan. Ai i tha NYT-së se LaCivita dhe Blair kishin vazhduar të punonin për operacionin amerikan edhe gjatë qëndrimit jashtë vendit. Sipas tij, të shtunën në mëngjes ata zhvilluan një telefonatë me ekipin për të shqyrtuar të dhënat më të fundit të sondazheve.

Pas publikimit të investigimit, Trump deklaroi se LaCivita dhe Blair punojnë për të si konsulentë të jashtëm dhe se nuk e dinte se për kë tjetër punonin. Ai tha se do t’i pyeste për angazhimet e tyre dhe se do t’i largonte menjëherë nëse konstatonte konflikt interesi. Pra, Trumpi nuk njoftoi se i kishte shkarkuar, por la të hapur mundësinë e largimit të tyre. 

Milionat e Republikës Srpska në Uashington

LaCivita dhe Blair nuk janë të vetmit persona të lidhur me Trumpin që kanë marrë para nga Republika Srpska.

Sipas dokumenteve të depozituara në Departamentin amerikan të Drejtësisë dhe të shqyrtuara nga “The New York Times”, lobistë dhe operatorë politikë me lidhje me Trumpin dhe aleatët e tij republikanë kanë marrë më shumë se 4 milionë dollarë nga qeveria e Republikës Srpska që nga fillimi i vitit 2025.

Kjo fushatë ndikimi shënoi një fitore të rëndësishme kur administrata Trump hoqi sanksionet amerikane ndaj Milorad Dodikut, familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Shtetet e Bashkuara i kishin vendosur sanksione Dodikut në ditët e fundit të administratës Obama. Ato mbetën në fuqi gjatë mandatit të parë të Trumpit dhe u zgjeruan gjatë administratës Biden.

Uashingtoni e kishte sanksionuar Dodikun për veprimet që, sipas autoriteteve amerikane, minonin Marrëveshjen e Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnjë-Hercegovinë në vitin 1995.

Marrëveshja përcaktoi strukturën e sotme politike të vendit: Republikën Srpska si një nga dy entitetet e Bosnjë-Hercegovinës dhe presidencën trepalëshe, të përbërë nga një përfaqësues serb, një boshnjak dhe një kroat.

Dodik ka dominuar politikën e Republikës Srpska për dekada. Dikur i konsideruar politikan më i moderuar, ai u afrua gjithnjë e më shumë me nacionalizmin serb dhe Moskën, duke krijuar marrëdhënie të drejtpërdrejta politike me Vladimir Putinin.

Ai u dënua nga drejtësia e Bosnjë-Hercegovinës për mosbindje ndaj autoritetit ndërkombëtar që mbikëqyr Marrëveshjen e Dejtonit. Vendimi solli largimin e tij nga posti i presidentit të Republikës Srpska dhe ndalimin për të mbajtur poste publike.

Megjithatë, largimi formal nga detyra nuk i dha fund ndikimit të tij politik.

Pas zgjedhjeve të së dielës, Dodik doli në skenë për të shpallur fitoren e forcës së tij politike. Në fjalimin e tij falënderoi Putinin për mbështetjen dhe vlerësoi fitoren e Trumpit në vitin 2024, duke thënë se ajo kishte krijuar një mjedis politik më të favorshëm.

Mbështetja nga persona të lidhur me Trumpin dhe heqja e sanksioneve amerikane e kanë ndihmuar Dodikun të përballojë presionin e brendshëm dhe ndërkombëtar, tha për NYT Adnan Cerimagic, analist i European Stability Initiative.

Sipas tij, kjo i dha Dodikut legjitimitet përballë elektoratit të vet dhe e forcoi kundër kritikëve brenda dhe jashtë Republikës Srpska.

Nga Trump Jr. te ish-guvernatori Blagojevich

Rrjeti i lidhjeve të Republikës Srpska në SHBA shkon përtej LaCivita-s dhe Blair-it.

Donald Trump Jr. vizitoi Republikën Srpska në prill, i ftuar nga djali i Milorad Dodikut. Udhëtimi u interpretua në rajon si sinjal i afrimit me rrethin e presidentit amerikan.

Zeljka Cvijanovic, përfaqësuese e partisë së Dodikut dhe anëtare serbe e presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, u takua gjithashtu në Shtëpinë e Bardhë me Susie Wiles, shefen e stafit të Trumpit.

Sipas dy burimeve të cituara nga NYT, takimin e organizoi Alex Garcia, lobist që kishte punuar në fushatën presidenciale të Trumpit në vitin 2024 nën drejtimin politik të Blair-it. Kompania e Garcia-s u regjistrua në shkurt për të përfaqësuar Republikën Srpska, kundrejt një pagese prej 35 mijë dollarësh në muaj.

Një tjetër emër në këtë rrjet është Rod Blagojevich, ish-guvernator i Illinoisit me prejardhje serbe. Sipas dokumenteve të lobimit të cituara nga gazeta, kompania e tij ka marrë 1.325 milionë dollarë nga Republika Srpska që nga marsi i vitit 2025.

“Serbia dhe Srpska e duan Trumpin”, deklaroi Blagojevich për NYT, duke shtuar se mbështetja për Trumpin përbën një avantazh të madh politik në Republikën Srpska.

Në këtë rrjet lidhjesh dhe financimesh u përfshi edhe LaCivita, ndërsa vijonte të ishte një nga strategët e rëndësishëm të operacionit politik të Trumpit në SHBA.

Para Bosnjës, Australia dhe Shqipëria

Republika Srpska nuk është angazhimi i parë politik i Chris LaCivita-s jashtë SHBA-së pas fitores së Trumpit.

Në pranverën e vitit 2025, një regjistrim i fshehtë i publikuar nga CORRECTIV dhe Centre for Climate Reporting e regjistroi LaCivita-n duke folur për një udhëtim në Australi.

“Isha në Australi dy javë më parë duke ndihmuar Partinë Liberale atje”, thuhej në regjistrim.

Australia ndodhej në prag të zgjedhjeve federale dhe opozita konservatore drejtohej nga Peter Dutton. Në bisedën e regjistruar, LaCivita fliste për problemet strukturore të Liberalëve dhe vështirësitë që, sipas tij, lidheshin me drejtimin e Duttonit.

Zgjedhjet e 3 majit përfunduan me humbje të thellë të koalicionit konservator përballë laburistëve të kryeministrit Anthony Albanese. Dutton humbi edhe mandatin e tij parlamentar.

Pas publikimit të regjistrimit, Liberalët mohuan se LaCivita kishte punuar për fushatën e tyre, ndërsa strategu amerikan deklaroi se aktiviteti i tij në Australi lidhej me interesa biznesi. Në regjistrim, megjithatë, ai kishte thënë se kishte qenë atje për të “ndihmuar Partinë Liberale”.

Më pas, LaCivita u shfaq në Shqipëri.

Këtë herë roli i tij ishte publik: Sali Berisha e angazhoi si strateg të fushatës së Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. LaCivita erdhi disa herë në Tiranë, mori pjesë në aktivitetet e opozitës dhe u përfshi në strategjinë elektorale të Berishës. 

Sipas raportimit të “The New York Times”, kompania e LaCivita-s mori më shumë se 1.6 milionë dollarë nga Partia Demokratike për këshillimin gjatë fushatës. 

Në të njëjtën periudhë, PD angazhoi edhe këshilltarë të tjerë amerikanë dhe nënshkroi një marrëveshje të veçantë me kompaninë “Continental Strategy”, me vlerë që mund të arrinte në 6 milionë dollarë. Marrëveshja u vu nën vëmendjen e SPAK-ut, i cili nisi verifikime lidhur me financimin dhe burimin e parave. 

Kontrata me “Continental Strategy” ishte e ndarë nga pagesat për kompaninë e LaCivita-s. Të dyja marrëveshjet i përkisnin periudhës kur opozita shqiptare investoi miliona dollarë në konsulentë, strategji dhe lidhje politike në SHBA.

Pas angazhimeve në Australi dhe Shqipëri, investigimi i “The New York Times” e vendos LaCivita-n në Republikën Srpska. Këtë herë, puna e tij jashtë SHBA-së solli reagim nga Trumpi, i cili tha se do ta largonte nëse konstatonte konflikt interesi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.