“Ringjallet” Kumbaro: Mos lejoni që fëmijët të përdoren nga duart e errëta
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u ka bërë thirrje prindërve që të tregojnë kujdes dhe të angazhohen për të mbrojtur fëmijët nga përfshirja në situata të dhunshme, në një kohë kur protestat e të rinjve dhe përplasjet janë shtrirë në disa qytete të Shqipërisë.
Përmes një mesazhi drejtuar prindërve, nxënësve, studentëve dhe mësuesve, Kumbaro ka kërkuar bashkëpunim për të garantuar sigurinë e të miturve dhe për të shmangur përfshirjen e tyre në incidente që shoqërojnë protestat.
Ministrja ka përdorur shprehjen “duart e errëta” për t’iu referuar, sipas saj, personave që synojnë të nxisin kaos dhe destabilizim në vend. Ajo ka theksuar se fëmijët nuk duhet të bëhen pjesë e përplasjeve dhe akteve të shkatërrimit të pronës publike apo private.
Kumbaro ka nënvizuar se në shumë shkolla mësimi vijon normalisht, ndërsa ka vlerësuar vendimin e prindërve që kanë zgjedhur t’i mbajnë fëmijët në shtëpi për t’i mbrojtur nga situatat e rrezikshme.
Sipas ministres, pakënaqësitë dhe kërkesat e të rinjve duhet të shprehen përmes dialogut dhe komunikimit, pa kaluar në dhunë. Ajo ka argumentuar se dëmtimi i bizneseve prek edhe familjet që sigurojnë të ardhurat përmes tyre, përfshirë familjet e vetë nxënësve dhe studentëve.
Në mesazhin e saj, Kumbaro ka bërë të ditur se Ministria e Arsimit është në komunikim me universitetet dhe strukturat arsimore, ndërsa mësuesit vijojnë punën në shkolla. Ajo u ka kërkuar prindërve, mësuesve, mediave, shoqërisë civile dhe komuniteteve që të bashkëpunojnë për të mbajtur larg fëmijët nga situatat e dhunshme.
Ministrja ka theksuar gjithashtu se e drejta e të rinjve për të protestuar duhet të respektohet, por ka kërkuar që ajo të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe legjitime.
Në përfundim të mesazhit, Kumbaro ka përsëritur thirrjen për të mos lejuar që fëmijët të përfshihen në veprime që, sipas saj, synojnë destabilizimin e vendit, duke e cilësuar dialogun si rrugën kryesore për të zgjidhur konfliktet dhe për të ruajtur shkollën si hapësirë të dijes dhe edukimit.
Postimi i Plotë:
Të dashur prindër dhe nxënës, studentë dhe mësues, në këtë orë kur shohim përmes ekraneve lëvizje kaotike të nxënësve, sidomos të atyre të miturve, dua të ndaj me ju një thirrje për bashkëpunim si ministre e Arsimit, por edhe si nënë. Ndërkohë që ‘’duart e errëta’’ hedhin tym e errët të shashkave të shkatërrimit, qoftë në pronat publike, apo në bizneset private, nuk duhet të gjithë bashkë të lejojmë që fëmijët tanë të jenë viktima të kësaj tymnaje. Ndërkohë që flasim në shumë shkollë nga shkollat tona vazhdon mësimi në mënyrë normale. E di që një pjesë e nxënësve nga prindërit e tyre janë tërhequr nëpër shtëpia me të drejtën legjitime për t’i mbrojtur nga përplasjet, për t’i mbrojtur nga tymnaja e zezë dhe sidomos nga ‘’duart e errëta’’ që të gjithë e dimë të kujt janë, që në këtë moment duan që maskat e tyre tua vënë fytyrave të fëmijëve tanë, nxënësve tanë.
Kemi qenë gjatë gjithë kohës në komunikim, kemi ndërtuar bashkë të dashur prindër shumë programe edukimi që ju i keni mbështetur në shkollat që nga klasa e parë deri në maturë. Jemi në komunikim me të gjitha universitetet. Nuk janë studentët, nuk janë nxënësit ata që shkatërrojnë. Nuk janë nxënësit, nuk janë studentët ata që thyejnë, bizneset me të cilat mbahen mijëra familje, përfshi dhe familjet e vetë fëmijëve tanë. Prandaj e vetmja mënyrë që ne kemi që energjinë pozitive, por edhe të drejtën legjitime të rinisë për të protestuar, ta kthejmë në rrugë dialogu. Kemi qenë gjithmonë bashkë në komunikim dhe do të vazhdojmë të jemi. Do të vazhdojmë të jemi që shkolla të mos jetë vendi që shkatërrohet nga ‘’duart e zeza’’ të cilat duhet t’i mbajmë larg dhe të mos na i kthenë fëmijët në viktima të kaosit. Po të jemi bashkë që këto shkolla të jenë vatrat e dije sikurse bashkë i kemi ndërtuar, i kemi trashëguar të tilla dhe duhet t’i mbajmë dhe t’i lëmë stafetë të tilla.
Prandaj ashtu sikurse gjithmonë kemi punuar dhe diskutuar, ju ftoj që në radhë të parë të kemi bashkëpunim për të mbrojtur fëmijët, për të garantuar sigurinë e tyre fizike, që të mos merren pengrëmuja dhe nga kaosi. T’i dëgjojmë ata, t’ju japim mundësinë të flasim jo përmes shkatërrimit, por përmes komunikimit, ju si prindër edhe ne si arsimtarë. Ndërkohë që flasim, arsimtarët dhe mësuesit janë në krye të detyrës, janë nëpër shkolla, janë duke mbyllur orarin ditor të mësimit. Prandaj vetëm komunikimi në të gjitha rrugët përfshi edhe këtë mesazh të shkurtër, është rruga më e mirë e bashkëpunimit që dhe fëmijët të kenë të gjithë të drejtën të shprehen edhe të drejtën të protestojnë në mënyrë keq legjitime, por ta bëjnë atë ashtu sikurse ju i keni mësuar, ashtu sikurse ne bashkë e ndërtojmë komunikimin në të gjithë programet tona.
Prandaj e kërkoj këtë bashkëpunim duke mirëkuptuar shqetësimin tuaj dhe shqetësimin e të gjithë mësuesve që janë ata që kujdesen për dijet, mos t’i humbasim shkollës qëllimin kryesor të ekzistencës së saj, të vatrës së dijes. Të dashur prindër, të dashur mësues, të gjithë bashkë, por i drejtohem edhe shoqërisë, edhe mediave, edhe shoqërisë civile, edhe lagjeve dhe komunitetit: Ju lutem në radhë të parë si prindër, por edhe si qytetarë të këtij vendi, të mos lejojmë që fëmijët tanë të përdoren për qëllime të errëta të duarve të liga që kërkojnë destabilizimin e Shqipërisë. I kemi ndërtuar gjithmonë gjërat me dialog dhe komunikim dhe do të jemi në vazhdimësi çdo orë këtu për t’ju përgjigjur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



