“Arenë lufte” në bulevard, protestuesit shtyjnë një makinë drejt policisë
Protesta përpara Kryeministrisë ka marrë një tjetër kthesë të tensionuar pasditen e 17 tetorit, pasi një automjet është përfshirë nga flakët në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ngjarja vjen pas përshkallëzimit të përplasjeve mes demonstruesve dhe forcave të rendit, në një moment kur policia ka shtuar në tre numrin e automjeteve ujëhedhëse të dislokuara në zonë.
Më herët, protestuesit kishin shtyrë një automjet në drejtim të pozicioneve të policisë. Më pas, automjetit i është vënë zjarri, duke shtuar tensionet në zonën përpara godinës së qeverisë.
Ndërkohë, forcat e rendit kanë përforcuar praninë dhe mjetet e ndërhyrjes, ndërsa përplasjet vijojnë në bulevard.
Nga Ministria e Arsimit te Kryeministria, tensionet përshkallëzohen
Zhvillimet e fundit vijnë pas një dite të shoqëruar me incidente në disa zona të Tiranës. Gjatë grumbullimeve në Rrugën e Durrësit, policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa u raportuan edhe protestues të lënduar.
Pas protestës pranë Ministrisë së Arsimit, studentë, të rinj dhe qytetarë të tjerë marshuan drejt Kryeministrisë, ku situata u tensionua sërish.
Pavarësisht ndërhyrjeve të forcave të rendit, demonstruesit kanë vijuar të qëndrojnë në rrugë. Kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Bilanci i Policisë: 167 të arrestuar dhe 132 efektivë të dëmtuar
Në të njëjtën ditë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, bëri publike të dhënat për pasojat e pesë ditëve të protestave.
Sipas tij, janë arrestuar 167 persona, ndërsa 388 të tjerë janë proceduar penalisht. Hita raportoi gjithashtu 132 punonjës policie të dëmtuar dhe njoftoi pezullimin e shtatë efektivëve, ndaj të cilëve ka nisur hetimi disiplinor për tejkalim të kompetencave.
Përshkallëzimi i fundit në bulevard tregon se situata përpara Kryeministrisë mbetet e tensionuar, ndërsa protesta vijon mes përplasjeve dhe kërkesave për largimin e qeverisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


