Rama i ftoi në dialog, studentët dhe pedagogët hedhin karriget te Kryeministria
Studentët dhe pedagogët kanë refuzuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për dialog, duke vijuar protestën para godinës së Kryeministrisë me thirrje për largimin e tij nga pushteti. Në shenjë kundërshtimi ndaj propozimit për dialog, protestuesit kanë hedhur karriget e vendosura përpara institucionit.
Thirrjet “Dorëheqje!” kanë shoqëruar tubimin, ndërsa pjesëmarrësit kanë bërë të qartë se nuk e pranojnë ftesën e kreut të qeverisë për bisedime në këto kushte. Karriget e përgatitura për takimin e propozuar janë bërë pjesë e protestës, teksa studentët dhe pedagogët vijojnë të kërkojnë përgjegjësi dhe ndryshim të situatës.
Protesta e kësaj të mërkure shënon ditën e nëntë të mobilizimit studentor. Kësaj here, të rinjtë kanë marrë mbështetjen edhe të pedagogëve, të cilët kanë nisur bojkotin e mësimdhënies në universitetet publike, në zbatim të vendimit të sindikatës.
Marshimi drejt Kryeministrisë nisi pas grumbullimit të studentëve dhe pedagogëve pranë Universitetit Politeknik të Tiranës. Prej aty, protestuesit iu drejtuan bulevardit, duke vijuar qëndrimin e tyre kundër qeverisë.
Refuzimi i dialogut dhe kërkesa për dorëheqjen e Ramës shënojnë një tjetër zhvillim në përshkallëzimin e protestës, ndërsa bojkotit të mësimit i është shtuar edhe pjesëmarrja e stafit akademik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



