Demo kërkon pezullimin e menjëhershëm të efektivit që plagosi Kliti Hotin
🇬🇧 Read in EnglishMinistri i Brendshëm, Ervin Demo, ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të efektivit të Policisë së Shtetit që dyshohet se qëlloi me plumb gome deputetin demokrat Kliti Hoti gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Demo bëri të ditur se i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të nisë procedurat për hetimin e plotë të ngjarjes dhe të pezullojë punonjësin e përfshirë.
Ministri e cilësoi rastin si një përdorim të dyshuar joproporcional të forcës nga një efektiv, duke theksuar se asnjë punonjës i Policisë nuk është mbi ligjin.
“Askush nuk është mbi ligjin, aq më tepër një punonjës i Policisë së Shtetit, që ka për detyrë ta zbatojë dhe ta mbrojë atë”, u shpreh Demo.
Ai theksoi se dhuna nuk do të tolerohet, pavarësisht nëse vjen nga protestuesit që sulmojnë forcat e rendit dhe institucionet, apo nga punonjësit e Policisë që tejkalojnë kompetencat e tyre.
“E drejta për të protestuar është e garantuar. Detyrimi për të respektuar ligjin është i njëjtë për të gjithë, pa përjashtim”, deklaroi ministri.
Deputeti i PD-së, Kliti Hoti, u plagos gjatë përplasjeve në bulevardin përpara Kryeministrisë, ku sipas raportimeve u qëllua me plumb gome në shpinë. Ai mori ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportua me ambulancë drejt spitalit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



