Vdekja e 46-vjeçarit te Komuna e Parisit, Ismet Habili ishte shofer i deputetit socialist
Një ngjarje e rëndë u regjistrua mbrëmjen e së martës në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ku 46-vjeçari Ismet Habili u gjet i pajetë brenda automjetit të tij, me një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit në kokë.
Sipas të dhënave paraprake, në automjet është gjetur edhe një armë. Policia dyshon se mund të bëhet fjalë për vetëvrasje, por hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur.
Një nga detajet e bëra të ditura lidhur me rastin është se telefonata e fundit e 46-vjeçarit dyshohet se ka qenë me bashkëshorten e tij. Megjithatë, rrethanat e kësaj bisede dhe lidhja e saj me ngjarjen mbeten për t’u sqaruar nga hetuesit.
Ismet Habili punonte si shofer i deputetit të Partisë Socialiste, Eduart Shalsi. Deri më tani, nuk janë bërë të ditura të dhëna të tjera që të hedhin dritë mbi arsyet që mund të kenë çuar në ngjarjen e rëndë.
Grupi hetimor po vijon punën për mbledhjen e provave dhe dokumentimin e plotë të rastit. Dyshimi paraprak për vetëvrasje mbetet për t’u verifikuar në kuadër të hetimeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



