Studentët refuzojnë sërish Ramën, largojnë blloqet e “Dialogut”
Studentët që vijojnë protestën kundër qeverisë kanë refuzuar sërish ftesën e kryeministrit Edi Rama për dialog, duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e tij.
Gjatë mbërritjes para Kryeministrisë, të rinjtë larguan blloqet e betonit të vendosura përpara godinës, të cilat u paraqitën si një tjetër simbolikë për thirrjen e Ramës për dialog. Përmes veprimit të tyre, protestuesit shprehën qëndrimin se nuk do të tërhiqen nga kërkesat që kanë ngritur.
Ndryshe nga dita e mëparshme, kur përpara Kryeministrisë u vendosën karrige si shenjë e ftesës për bisedime, këtë herë kryeministri zgjodhi simbolikën e gurëve dhe blloqeve të betonit për të përcjellë mesazhin e dialogut.
Një ditë më parë, një pjesë e protestuesve kishin thyer dhe hedhur karriget në drejtim të derës së godinës së qeverisë, duke kundërshtuar mënyrën se si Rama u ishte drejtuar përmes kësaj ftese.
Pavarësisht ndryshimit të simbolikës, qëndrimi i studentëve mbeti i njëjtë: ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe deklarojnë se janë të vendosur të vijojnë protestën.
Përplasja mes thirrjeve të qeverisë për dialog dhe kërkesës së protestuesve për largimin e Ramës mbetet në qendër të zhvillimeve përpara Kryeministrisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



