Edhe Berisha refuzon largimin: Po ika unë, forcohet Rama!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk e sheh largimin e tij nga politika si një mundësi dhe argumenton se një vendim i tillë do të ndikonte në forcimin e kryeministrit Edi Rama.
I pyetur nëse do të ishte i gatshëm të bënte hapin e parë duke u tërhequr nga drejtimi i opozitës, Berisha e hodhi poshtë kategorikisht këtë skenar. Sipas tij, largimi i tij do t’i shërbente drejtpërdrejt kreut të qeverisë.
“Kjo nuk ndodh kurrë, është absurde. Kjo do të thotë të forcosh Edi Ramën dhe të lash dorën e tij të zezë”, deklaroi Berisha, duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj atyre që mbështesin idenë e largimit të tij.
Kreu i demokratëve vijoi me kritikat ndaj personave që kërkojnë tërheqjen e tij, duke i akuzuar se mbështesin kryeministrin. Ai kundërshtoi gjithashtu çdo krahasim mes tij dhe Ramës, duke i paraqitur si dy figura me qëndrime të kundërta politike.
“Të na krahasosh ne të dy është të krahasosh ditën me natën. Tani ka një opozitë të vërtetë”, u shpreh Berisha.
Deklaratat e tij rikonfirmojnë qëndrimin kundër largimit nga politika dhe drejtimi i PD-së, në një kohë kur roli i opozitës dhe drejtimi i saj mbeten pjesë e debatit politik. Berisha këmbëngul se largimi i tij nuk do të sillte forcimin e opozitës, por do t’i krijonte avantazh kundërshtarit të tij politik, Edi Ramës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



