8 të lënduar nga revolta kombëtare: Mes tyre deputeti, gazetarë dhe policë
Tetë persona kanë marrë trajtim mjekësor pas protestës së zhvilluar këtë të shtunë në Tiranë, ku pati përplasje dhe tensione. Sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, mes të lënduarve janë një deputet i Kuvendit, dy përfaqësues të medias, një efektiv policie dhe katër protestues.
Gjashtë prej tyre u paraqitën në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ndërsa dy të tjerë morën ndihmë në Spitalin Universitar të Traumës (SUT).
Deputeti dhe katër protestuesit kanë lënë spitalin
Sipas njoftimit zyrtar, në QSUT u trajtuan një deputet, një përfaqësuese e medias dhe katër protestues. Ministria bëri të ditur se të gjashtë kanë lënë spitalin pasi morën ndihmën mjekësore.
Ndërkohë, në Spitalin e Traumës u paraqitën një efektiv policie dhe një tjetër përfaqësues i medias. Gjendja e tyre shëndetësore u raportua e qëndrueshme.
Deputeti i lënduar dyshohet të jetë Gjin Gjoni, i cili shfaqi probleme me sytë gjatë protestës, por identiteti i tij nuk është konfirmuar zyrtarisht në njoftimin e Ministrisë.
Bilanci i publikuar deri në orën 16:30 përfshin tetë persona që kanë marrë trajtim mjekësor, ndërsa zhvillimet e protestës së 24 tetorit vijuan të shoqërohen me tensione në kryeqytet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



