Dëborë dhe temperatura deri në -4°C, dimri troket para kohe në Kukës
Pamjet e para dimërore kanë mbërritur në verilindje të Shqipërisë, ku zonat e larta të qarkut të Kukësit janë zbardhur nga reshjet e para të dëborës. Temperaturat kanë zbritur deri në -4 gradë Celsius, ndërsa tetori ende nuk ka përfunduar.
Reshjet kanë përfshirë bjeshkët e Gjalicës, zonat malore të Tropojës dhe Shishtavecit, ku dëbora ka mbuluar terrenin dhe ka sjellë kushtet e para tipike të sezonit të ftohtë.
Në lartësitë mbi 1,000 metra mbi nivelin e detit, temperaturat nën zero kanë shënuar ardhjen e hershme të motit dimëror, duke sjellë një ndryshim të ndjeshëm të kushteve atmosferike në këtë pjesë të vendit.
Ndryshe paraqitet situata në zonat e ulëta të qarkut. Në qytetin e Kukësit, Krumë dhe Bajram Curri, reshjet kanë qenë në formën e shiut, të shoqëruara me temperatura të ulëta.
Pavarësisht reshjeve të para të dëborës dhe rënies së temperaturave, deri më tani nuk raportohen problematika në zonat e prekura.
Dëbora e parë në Kukës shënon kështu nisjen e kushteve dimërore në lartësitë malore të verilindjes, ndërsa moti i ftohtë ka mbërritur përpara përfundimit të muajit tetor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



