E enjte, 29 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skënder Hita mesazh kandidatëve për policë: Uniforma blu është privilegj
Lajme

Skënder Hita mesazh kandidatëve për policë: Uniforma blu është privilegj

Rreth 1,000 kandidatë vijojnë konkurrimin për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit në strukturat e Patrullës së Përgjithshme. Pas fazës së parë të përzgjedhjes, aplikantët po kalojnë testet mjekësore, fizike dhe psikologjike, në kuadër të procesit të rekrutimit.

Në Akademinë e Sigurisë, ku po zhvillohen testimet, ka qenë i pranishëm edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Gjatë vizitës, ai ka zhvilluar një takim me kandidatët që synojnë të veshin uniformën blu, duke u përcjellë mesazhe për angazhimin dhe përgjegjësinë që shoqërojnë këtë profesion.

Hita vlerësoi interesin për t’iu bashkuar radhëve të Policisë së Shtetit, duke bërë të ditur se në fazën fillestare të aplikimeve ishin regjistruar rreth 1,300 kandidatë. Pas përfundimit të fazës së parë, numri i atyre që vijojnë garën ka zbritur në rreth 1,000.

“Numri i lartë i aplikantëve, rreth 1,300 në fazën fillestare dhe tashmë rreth 1,000 pas fazës së parë, është një tregues pozitiv dhe motivim për të vijuar forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe ndërtimin e një policie gjithnjë e më profesionale”, u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Gjatë bashkëbisedimit, kreu i Policisë u uroi suksese kandidatëve në fazat e ardhshme dhe i nxiti të japin maksimumin për të përmbushur kriteret e kërkuara dhe për t’u kualifikuar brenda kuotave të përcaktuara.

Ai theksoi gjithashtu se konkurrimi do të vijojë në mënyrë transparente deri në përfundim, duke garantuar mundësi të barabarta për të gjithë aplikantët.

“Jepni maksimumin tuaj dhe shikojeni këtë mundësi si një privilegj për të dëshmuar aftësitë dhe vullnetin tuaj për t’u bërë pjesë e familjes sonë të madhe, Policisë së Shtetit, dhe për t’iu shërbyer qytetarëve me profesionalizëm e përgjegjshmëri”, deklaroi Hita.

Procesi i rekrutimit vijon sipas procedurave të përcaktuara. Kandidatët që do të kalojnë me sukses testimet, do të përmbushin kriteret dhe do të renditen brenda kuotave të miratuara, do të kenë mundësinë t’i bashkohen Patrullës së Përgjithshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.