Protestuesit i përgjigjen Ramës me padi në SPAK
Altin Goxhaj dorëzon dokumentet për tre qytetarët
Tre protestues kanë ndërmarrë hapa ligjorë ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e kallëzuar për shpifje dhe fyerje pas deklaratave të tij publike, në të cilat, sipas tyre, u janë atribuuar precedentë penalë që nuk i kanë.
Avokati Altin Goxhaj u paraqit në ambientet e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i shoqëruar nga Ervin Vrioni, Beonard Prençi dhe Algert Fejza, për të depozituar padinë ndaj kreut të qeverisë.
Sipas Goxhajt, tre qytetarët janë bërë objekt i deklaratave që i paraqisnin si persona me precedentë penalë, pretendim që avokati e kundërshtoi duke iu referuar dokumentacionit të paraqitur pranë SPAK.
“Kemi paditur kryeministrin Edi Rama për shpifje dhe fyerje. Rama e ka cilësuar fyerjen vepër penale tashmë. Ne jemi këtu me tre qytetarë të ndershëm, Ervin Vrioni, Beonard Prençi dhe Algert Fejza. Mbi ta është shpifur nga Rama, duke i akuzuar për precedentë penalë që nuk ekzistojnë. E kanë sjellë Ramën për shpifjen e tij të bërë botërisht”, deklaroi avokati.
Gjatë paraqitjes në SPAK, Goxhaj bëri publike edhe dëshmitë e penalitetit të tre protestuesve, duke pretenduar se dokumentet nuk përmbajnë dënime. Sipas tij, këto akte mbështesin pretendimin se deklaratat e kryeministrit kanë cenuar reputacionin e qytetarëve.
Goxhaj kërkon përgjegjësi ligjore për deklaratat e kryeministrit
Avokati argumentoi se, duke qenë se bëhet fjalë për akuza të bëra publikisht, kryeministri duhet të mbajë përgjegjësi për deklaratat e tij. Ai u shpreh gjithashtu se, sipas interpretimit të tij të procedurës ligjore, Rama duhet të paraqitet personalisht në Strukturën e Posaçme.
Nga ana e tyre, tre protestuesit thanë se ndihen të fyer nga deklaratat që u janë atribuuar dhe se kërkojnë që çështja e tyre të trajtohet në rrugë ligjore.
Padia vjen në një klimë tensionesh mes qeverisë dhe protestuesve, ndërsa deklaratat publike të kryeministrit ndaj pjesëmarrësve në protesta kanë nxitur reagime dhe kundërshtime.
Për momentin, pretendimet e paraqitura nga Goxhaj dhe tre qytetarët përbëjnë qëndrimin e palës kallëzuese. Vlerësimi i tyre nga organet kompetente dhe çdo vendimmarrje e mëtejshme do të përcaktojnë hapat e ardhshëm të çështjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



