Plagoset me armën e shërbimit ushtari në Bazën Ajrore të Kuçovës
Një efektiv i Forcave të Armatosura është plagosur pasditen e sotme në Bazën Ajrore të Kuçovës, gjatë kohës që ishte duke kryer shërbimin. Sipas informacionit të bërë publik nga Ministria e Mbrojtjes, ushtari E.D. është plagosur në shpatull me armën e shërbimit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:46. Menjëherë pas incidentit, efektivit i është dhënë ndihma e parë dhe është transportuar në Spitalin Rajonal të Beratit.
Nga vlerësimi fillestar mjekësor rezulton se parametrat jetësorë të tij janë brenda normës dhe se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Për shkak të nevojës për trajtim të specializuar, ai është nisur më pas drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se Policia Ushtarake ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për dokumentimin e rastit dhe përcaktimin e plotë të shkaqeve dhe rrethanave.
Ndonëse ngjarja është raportuar si vetëplagosje, rrethanat e plota mbeten objekt hetimi. Ministria e Mbrojtjes deklaron se po ndjek situatën dhe gjendjen shëndetësore të efektivit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



