Klevis Qose në Shkodër, kreu i AMP-së: Në fokus transparenca dhe llogaridhenia
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Klevis Qose, mori pjesë në një konferencë rajonale të organizuar në Shkodër nga United Rights Foundation (URF), ku në fokus ishte informimi i qytetarëve mbi të drejtat e tyre dhe mënyrat se si mund të denoncojnë shkeljet e mundshme nga punonjësit e strukturave policore.
Konferenca u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit mes AMP-së dhe fondacionit URF, me pjesëmarrjen e drejtueses ekzekutive të këtij organizimi, Jona Dervishi. Aktiviteti synoi të afrojë më shumë institucionin me komunitetin, duke rritur njohuritë e qytetarëve mbi funksionet, përgjegjësitë dhe kompetencat që ka Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte mënyra se si qytetarët mund t’i drejtohen AMP-së për të raportuar shqetësime, ankesa apo raste të mundshme abuzimi dhe shkeljesh nga punonjësit e institucioneve që janë nën mbikëqyrjen e saj.
Gjatë takimit u trajtuan mekanizmat përmes të cilëve mund të depozitohen denoncimet, rëndësia e komunikimit të drejtpërdrejtë me institucionin dhe roli që luan aktivizimi qytetar në garantimin e transparencës dhe llogaridhënies.
Në konferencë ishin të pranishëm përfaqësues të shoqërisë civile, medias, Bashkisë së Shkodrës, si dhe studentë. Diskutimet u përqendruan te nevoja për një angazhim më të madh të qytetarëve në monitorimin e veprimtarisë së institucioneve publike dhe te rëndësia e mekanizmave që u japin mundësi të kërkojnë përgjegjësi për çdo shkelje të konstatuar.
Pjesëmarrja e kreut të AMP-së, Klevis Qose, u konsiderua pjesë e përpjekjeve për të zgjeruar komunikimin me publikun dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi të drejtën e çdo qytetari për të denoncuar veprime të paligjshme apo sjellje të papërshtatshme nga punonjësit e strukturave që mbikëqyren nga Agjencia.
Bashkëpunimi mes AMP-së dhe United Rights Foundation synon të forcojë marrëdhënien mes institucionit dhe komunitetit, duke nxitur një kulturë më të konsoliduar transparence, përgjegjshmërie dhe besimi te mekanizmat e kontrollit institucional.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



