“Me këtë qeveri nuk ka zgjedhje të lira”, por PD ulet në tryezë me Ramën për “Zgjedhoren”
Partia Demokratike do të marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, duke konfirmuar kështu gatishmërinë për të negociuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pavarësisht përplasjes së fortë politike me mazhorancën socialiste.
Vendimi u bë publik nga bashkëkryetari i komisionit në emër të opozitës, Oerd Bylykbashi, i cili deklaroi se PD do të paraqesë propozime konkrete, por e vendos si kusht kryesor zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
Demokratët argumentojnë se problemi themelor i zgjedhjeve në Shqipëri mbetet pabarazia mes palëve në garë dhe përdorimi i burimeve shtetërore në favor të partisë në pushtet. Sipas Bylykbashit, pa zgjidhjen e këtyre problemeve, çdo ndërhyrje në Kodin Zgjedhor rrezikon të mos sjellë garën e barabartë që kërkohet.
Mandati i komisionit po përfundon, zgjedhjet e 9 majit po afrojnë
Bylykbashi tërhoqi vëmendjen te koha e kufizuar që ka mbetur për të përmbyllur punën e komisionit, i cili është ngritur rreth një vit më parë dhe tashmë ka hyrë në muajin e fundit të mandatit.
Për opozitën, prioriteti duhet të jetë adresimi i problematikave të evidentuara nga OSBE/ODIHR, veçanërisht garantimi i kushteve të barabarta të konkurrimit për zgjedhjet e 9 majit 2027.
PD kërkon ndarje reale të shtetit nga partia në pushtet, ndalimin e përdorimit të administratës dhe aseteve publike për interesa elektorale, si dhe masa ndëshkuese ndaj personave që përfshihen në shkelje të procesit zgjedhor.
Në deklaratën e tij, Bylykbashi u shpreh se:
“Prioriteti absolut për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është zgjidhja e problemit kryesor të evidentuar në raportin e OSBE/ODIHR […]: garantimi i kushteve të barabarta të konkurrimit zgjedhor”.
Më tej, ai renditi kërkesat e opozitës për ndërhyrje në administrimin e zgjedhjeve dhe përgjegjësinë e personave që shkelin ligjin:
“ndarjen reale të shtetit nga partia në pushtet, ndalimin e abuzimit me pushtetin, burimet shtetërore dhe administratën publike në favor të Partisë Socialiste apo cilësdo parti në pushtet në të ardhmen”, si dhe “ndëshkimin e ashpër dhe efektiv të shkelësve, patronazhistëve dhe kujtdo që kryen krime zgjedhore”.
PD kërkon proporcional kombëtar dhe lista të hapura
Përtej masave që lidhen me mbrojtjen e votës, demokratët kërkojnë një ndryshim më të thellë të sistemit zgjedhor. Propozimi i tyre përfshin proporcionalin kombëtar dhe listat e hapura, duke synuar që votuesit të kenë më shumë ndikim në përzgjedhjen e deputetëve.
“Shqipëria ka nevojë për një sistem krejtësisht të ri zgjedhor, ku përfaqësimi i partive të garantohet mbi bazën e proporcionalitetit kombëtar, me lista të hapura që u mundësojnë zgjedhësve të vendosin se cilët deputetë do t’i përfaqësojnë”, deklaroi Bylykbashi.
Megjithatë, gatishmëria për t’u ulur në tryezën e përbashkët nuk shoqërohet me tërheqje nga akuzat ndaj mazhorancës. Përfaqësuesi i PD-së pretendon se socialistët kanë orientuar diskutimet drejt çështjeve që nuk burojnë nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe që, sipas opozitës, nuk përbëjnë përparësitë reale të reformës.
Ai e krahasoi këtë qasje me atë që, sipas tij, çoi në dështimin e Komisionit për Reformën Territoriale, duke akuzuar mazhorancën se po përgatit terrenin për ndryshime të njëanshme të Kodit Zgjedhor.
“Në frymë krejtësisht të kundërt, Partia Socialiste deri më sot ka trajtuar çështje që nuk burojnë nga rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe nuk përbëjnë përparësi”, u shpreh ai.
Bylykbashi paralajmëroi gjithashtu se “kjo qasje e mazhorancës ndjek të njëjtën linjë veprimi që çoi në dështimin e qëllimshëm të Komisionit për Reformën Territoriale, për t’i hapur rrugë ndryshimeve të njëanshme të Kodit Zgjedhor”.
Kështu, PD konfirmon pjesëmarrjen në negociatat për reformën, por e kushtëzon konsensusin me ndryshime që, sipas saj, duhet të garantojnë barazi në garë dhe të pengojnë përdorimin e shtetit për interesa partiake. Sfida e radhës mbetet nëse palët do të arrijnë një marrëveshje përpara përfundimit të mandatit të komisionit dhe afrimit të zgjedhjeve të 9 majit 2027.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



