Të shtëna me armë në Athinë, plagoset rëndë 36-vjeçari shqiptar
Një 36-vjeçar shqiptar ka mbetur i plagosur rëndë pas një sulmi me armë zjarri në kryeqytetin grek, Athinë. Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e së premtes në rrugën Lenorman, në zonën e Kolonos, ku ndaj shqiptarit është qëlluar me armë zjarri.
Dyshimet paraprake janë se përpara të shtënave, 36-vjeçari është përfshirë në një konflikt me dy persona të tjerë. Përplasja dyshohet se ka përshkallëzuar deri në përdorimin e armës, ndërsa rrethanat e sakta dhe motivet e ngjarjes mbeten ende për t’u sqaruar.
Nga të shtënat, shqiptari ka marrë dy plumba në pjesën e barkut, duke pësuar dëmtime të rënda. Ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit “Attikon”, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ngjarja ka vënë në lëvizje autoritetet greke, të cilat kanë ndërhyrë për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar. Deri më tani janë ndaluar dy persona, por identitetet e tyre nuk janë bërë publike.
Ende nuk është konfirmuar nëse të ndaluarit janë pikërisht dy individët me të cilët shqiptari dyshohet se është konfliktuar përpara sulmit, apo nëse kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të shtënat.
Policia greke po vijon hetimet për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes, për të përcaktuar rolin e personave të ndaluar dhe për të identifikuar autorin ose autorët që qëlluan ndaj 36-vjeçarit.
Deri në këto momente, identiteti i shqiptarit nuk është bërë i ditur, ndërsa gjendja e tij shëndetësore mbetet shqetësuese.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



